Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Rihapet hetimi për një rast përdhunimi të raportuar në Universitetin Cornell në vitin 2024

QIKA 30.9.2026

Një prokuror i Nju Jorkut ka vendosur të rihapë hetimin për një rast të dyshuar përdhunimi në Universitetin Cornell, pasi një studente akuzoi universitetin dhe autoritetet për dështim në hetimin e rastit të raportuar në vitin 2024.

Sipas padisë së ngritur nga studentja, e cila përdor pseudonimin Jane Doe për të mbrojtur identitetin e saj, ajo u sulmua seksualisht për rreth shtatë orë nga shtatë studentë në një shtëpi të vëllazërisë Chi Phi në Itaka, Nju Jork, më 19 tetor 2024.

Padia pretendon se studentët i dhanë asaj alkool, marihuanë dhe ketaminë dhe se e vunë nën presion për të konsumuar ketaminë. Më pas, sipas padisë, studentët kryen një seri sulmesh seksuale ndaj saj.

Sipas dokumenteve gjyqësore, ndërsa sulmet vazhdonin, njëri prej burrave dërgoi rreth orës 1:42 të mëngjesit një mesazh në grupin e Chi Phi në Snapchat, duke ftuar studentë të tjerë të bashkoheshin. Mesazhi përmbante një term vulgar për organet gjenitale femërore.

Studentja e raportoi rastin në Departamentin e Policisë së Universitetit Cornell më 8 nëntor 2024.

Pas raportimit, policia e Cornell-it publikoi një njoftim për sigurinë në kampus, ku thuhej se një viktimë kishte raportuar se ishte “sulmuar seksualisht nga disa burra dhe ishte detyruar të konsumonte ketaminë dhe droga të tjera” në një shtëpi studentore.

Universiteti njoftoi se policia e tij po zhvillonte hetim penal, ndërsa administrata nisi një hetim të veçantë lidhur me akuzat.

Megjithatë, sipas prokurorit të qarkut Tompkins, Matthew Van Houten, deklarata fillestare e studentes nuk ofronte në atë kohë bazë të mjaftueshme për ngritjen e akuzave penale.

Avokati i saj, Thomas Giuffra, ka deklaruar se pas raportimit fillestar asnjë pjesëtar i policisë apo hetues penal nuk e kontaktoi më studenten lidhur me rastin.

Tash, prokurori ka vendosur ta rihapë çështjen dhe ta paraqesë atë para një jurie të madhe, e cila do të shqyrtojë nëse ekziston bazë për ngritjen e akuzave penale.

Paralelisht me hetimin penal, Cornell nisi një procedurë administrative sipas Titullit IX, ligjit federal amerikan që ndalon diskriminimin në bazë të seksit në institucionet arsimore që marrin fonde federale.

Universiteti pezulloi përkohësisht vëllazërinë Chi Phi dhe shtatë studentët e përmendur në padi.

Sipas padisë, në maj të vitit 2025 u zhvilluan të paktën 12 seanca disiplinore para një paneli të përbërë nga pjesëtarë të stafit dhe fakultetit.

Studentëve të akuzuar iu kërkua gjithashtu të dorëzonin ese si pjesë e procesit disiplinor. Cornell i ka përshkruar këto si “punime reflektuese” dhe ka konfirmuar se ato ishin pjesë e masave të vendosura ndaj disa studentëve.

Universiteti nuk ka bërë publike masat e marra ndaj secilit student, duke iu referuar rregullave për mbrojtjen e privatësisë së studentëve. Cornell ka deklaruar se ndaj studentëve u morën “një sërë masash disiplinore, përfshirë përjashtimin dhe pezullimin”.

Sipas avokatit të Jane Doe, vetëm dy prej burrave u përjashtuan nga universiteti.

Rihapja e hetimit penal vjen pas padisë së studentes ndaj Cornell-it dhe zyrtarëve të zbatimit të ligjit. Në të, ajo pretendon se autoritetet nuk e hetuan në mënyrë të mjaftueshme rastin dhe se institucionet dështuan ta trajtonin seriozisht raportimin e saj.

Rasti rikthen në vëmendje mënyrën se si universitetet amerikane dhe institucionet e drejtësisë trajtojnë raportimet për dhunë seksuale, si dhe përgjegjësinë e tyre për të hetuar në mënyrë efektive akuzat për dhunë seksuale.

Ndërkohë, rregullat federale për mënyrën se si universitetet duhet t’i trajtojnë këto raste kanë ndryshuar disa herë gjatë administratave të Joe Biden dhe Donald Trump, duke sjellë debate mbi standardet e hetimit, të drejtat procedurale të studentëve të akuzuar dhe mbrojtjen e personave që raportojnë dhunën.