Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

OBSH: Gratë në sektorin e shëndetësisë paguhen 19% më pak se burrat për orë

QIKA 29.9.2026

Gratë paguhen mesatarisht 19% më pak për orë pune se burrat në sektorin e shëndetësisë në mbarë Evropën, sipas të dhënave të reja të përmbledhura në një raport të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Sipas raportit, gratë përbëjnë 77% të fuqisë punëtore në shëndetësi, ndërsa në sektorët e tjerë të ekonomisë përbëjnë rreth 45%. Pavarësisht kësaj, gratë zënë vetëm 55% të vendeve të punës me pagat më të larta në sektor.

Hendeku gjinor në paga nuk është i njëjtë në të gjitha nivelet. Sipas OBSH-së, ai varion nga rreth 2% tek punonjësit me pagat më të ulëta, deri në mbi 22% në nivelet më të larta të pagave.

OBSH analizoi faktorë si mosha, arsimi, sektori i punësimit – publik ose privat – dhe nëse punonjësit punojnë me kohë të plotë apo të pjesshme. Në raport, hendeku shpjegohet nga disa faktorë më të thellë strukturorë, përfshirë nënvlerësimin e punës së kujdesit, ndarjen gjinore të profesioneve dhe diskriminimin në përcaktimin e pagave.

“Pjesa më e madhe e këtij hendeku nuk lidhet me faktin se gratë punojnë më pak orë, janë më të reja apo punojnë në pjesë të ndryshme të sektorit. Bëhet fjalë për mënyrën se si sektori e vlerëson punën e grave”, thotë për Euronews, Natasha Azzopardi Muscat, drejtore e Divizionit për Sistemet Shëndetësore në OBSH Evropë.

Raporti vë në pah edhe një tjetër prirje: sa më e lartë të jetë përqindja e grave në një kategori profesionale, aq më e ulët priret të jetë paga e asaj kategorie.

Kjo vërehet edhe në pozitat menaxheriale. Në sektorin e shëndetësisë dhe kujdesit, pozitat menaxheriale punësojnë më shumë gra sesa pozitat e ngjashme në sektorë të tjerë, por paguhen më pak.

Mesatarisht, një pozicion menaxherial në shëndetësi dhe kujdes paguhet rreth 22 euro për orë, krahasuar me 24.70 euro për një pozicion të krahasueshëm në sektorë të tjerë.

Të ardhurat më të ulëta gjatë karrierës mund të përkthehen në pensione më të ulëta, më pak siguri financiare në një moshë më të shtyer dhe rrezik më të lartë të varfërisë. OBSH thekson se pabarazia në paga mund të ulë gjithashtu përfitimin ekonomik nga arsimi i grave dhe të ketë pasoja më të gjera për ekonominë.

“Do të thotë pensione më të ulëta, më pak siguri financiare në moshë të shtyer dhe rrezik më të lartë të varfërisë për gratë që kanë kaluar jetën e tyre profesionale duke u kujdesur për të tjerët”, tha Azzopardi Muscat.

Për të adresuar këto pabarazi, OBSH rekomandon masa që përfshijnë rritjen e transparencës së pagave, përfaqësimin më të madh të grave në pozitat vendimmarrëse dhe adresimin e normave dhe stereotipeve gjinore.

Lexoni raportin e plotë këtu.