Të mërkurën, Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGj) ka publikuar raportin “Pëlqimi dhe Normat Gjinore nga Perspektiva e Fëmijëve”, i cili trajton qëndrimet dhe përvojat e 404 adoleshentëve të moshës 16-18 vjeç në Kosovë lidhur rolet gjinore, kuptimin e pëlqimit, përvojat e ngacmimit online dhe besimin në mekanizmat e raportimit.
Të dhënat tregojnë se 71.5% e të anketuarve pajtohen se roli kryesor i burrit është të fitojë para, ndërsa roli kryesor i gruas është të kujdeset për shtëpinë dhe familjen. Po ashtu, 58.8% pajtohen se babai duhet ta ketë fjalën e fundit në vendimet e rëndësishme familjare.
Në lidhje me normat gjinore, 52% e të anketuarve pajtohen se të qenit “burrë i vërtetë” kërkon të jesh i fortë, ndërsa 66.9% pajtohen se një burrë duhet ta mbrojë reputacionin e tij nëse fyhet. Ndërkohë, 58.2% pajtohen se është më keq për një vajzë sesa për një djalë të ketë shumë partnerë romantikë.
Studimi evidenton gjithashtu dallime në pritshmëritë ndaj vajzave dhe djemve. Për shembull, 78.2% e djemve dhe 75.8% e vajzave pajtohen se djemtë duhet të jenë ofruesit kryesorë financiarë, ndërsa 70.8% e djemve dhe 67% e vajzave pajtohen se djemtë duhet të marrin drejtimin në marrëdhëniet romantike.
Rregullat familjare dhe monitorimi prindëror janë gjithashtu pjesë e të dhënave të hulumtimit. 74.8% e të anketuarve thonë se duhet të kërkojnë leje para se të takohen me miqtë jashtë orarit të shkollës, ndërsa 66.2% kanë një orar të përcaktuar se deri kur duhet të jenë në shtëpi. Sipas raportit, këto rregulla përjetohen ndryshe nga vajzat dhe djemtë, me vajzat që përshkruajnë kufizime më të mëdha në lëvizjet e tyre.
Në të njëjtën kohë, të dhënat tregojnë edhe qëndrime më mbështetëse ndaj barazisë gjinore. 54.4% e të anketuarve pajtohen se pabarazia gjinore është problem serioz, ndërsa 63.9% pajtohen se pritshmëritë e ngurta gjinore mund të dëmtojnë edhe djemtë dhe burrat.
Sa i përket pëlqimit, studimi tregon se 53% e të anketuarve kanë një kuptim pozitiv të tij, ndërsa një pjesë e të rinjve vazhdojnë ta lidhin mungesën e një refuzimi të qartë me pajtimin.
Në këtë aspekt, dallimet gjinore janë të dukshme. 42.1% e vajzave dhe 56.2% e djemve pajtohen se nëse një person nuk thotë qartë “jo”, kjo do të thotë se është dakord.
Nga ana tjetër, njohuritë mbi aspektet ligjore janë më të larta. 80.8% e të anketuarve e dinë se shpërndarja e një imazhi intim pa lejen e personit është krim, ndërsa 70.4% thonë se e dinë moshën nën të cilën një person nuk mund të japë ligjërisht pëlqim për aktivitet seksual në Kosovë.
Megjithatë, vetëm 44% e të anketuarve raportojnë se kanë marrë në shkollë ndonjë mësim formal për pëlqimin, marrëdhëniet e shëndetshme ose të drejtat seksuale. 46.4% thonë se nuk kanë marrë asnjëherë një mësim të tillë.
27.3% raportojnë të paktën një formë të dëmit online
Në pjesën që trajton ngacmimin online, 72.7% e të anketuarve nuk raportuan asnjë nga përvojat e listuara gjatë vitit të kaluar. Ndërsa 27.3% raportuan të paktën një formë të dëmit online.
Forma më e zakonshme ishte marrja e komenteve të këqija ose lënduese online, e raportuar nga 16.5% e të anketuarve. 10.5% thanë se një imazh ose mesazh privat i tyre ishte shpërndarë pa lejen e tyre, ndërsa 8.4% raportuan se ishin vënë nën presion për të dërguar përmbajtje intime.
Tallja dhe mungesa e besimit pengojnë raportimin
Të dhënat për raportimin tregojnë se 47.7% e të anketuarve do të kishin frikë se nxënësit e tjerë do ta zbulonin rastin dhe do t’i tallnin nëse do të raportonin ngacmimin online.
Ndërkohë, 40.6% nuk besojnë se shkolla do ta ruante konfidencialitetin e raportimit, ndërsa 40% nuk besojnë se policia do ta merrte seriozisht një rast ngacmimi online. Për 39.7%, raportimi nuk do të ndryshonte asgjë dhe për këtë arsye nuk do të kishte kuptim të raportohej.
Kur pyeten se çfarë do ta përmirësonte raportimin, 54.1% e të anketuarve identifikojnë raportimin anonim si një nga masat e kërkuara, ndërsa 49.8% kërkojnë më shumë sesione informuese në shkollë.
Shumica e dinë se shkolla ka staf mbështetës, por nuk i drejtohen
71.8% e të anketuarve thonë se shkolla e tyre ka staf mbështetës, si psikolog, pedagog ose person tjetër për mbështetje. Megjithatë, rreth tre të katërtat nuk kanë folur me një person të tillë gjatë vitit të kaluar.
Në rast se do t’u ndodhte diçka e keqe, adoleshentët raportojnë nivel më të lartë rehatie për t’iu drejtuar familjes. 59.8% do të ndiheshin shumë rehat t’i tregonin nënës, ndërsa 27.7% të tjerë disi rehat. Për babain, 45.6% do të ndiheshin shumë rehat. Në krahasim, vetëm 16.9% do të ndiheshin shumë rehat t’i drejtoheshin stafit mbështetës të shkollës dhe 8.9% mësuesit të klasës.
Sa i përket komunikimit në familje, 14.7% thonë se nuk kanë asnjë ditë në javë një bisedë të vërtetë me prindin ose kujdestarin kryesor për ditën e tyre. Vetëm 18.1% raportojnë biseda të tilla në 6-7 ditë të javës. Kur bisedat ndodhin, 78.1% e të anketuarve thonë se ato zgjasin më pak se 30 minuta.
Siguria ndryshon sipas hapësirës
Për sigurinë në dhe përreth shkollës, 83.5% pajtohen se ndihen të sigurt brenda ndërtesës së shkollës gjatë ditës. Kjo përqindje bie në 71.3% kur bëhet fjalë për oborrin e shkollës dhe hapësirën jashtë portës në fund të ditës. Ndërsa 70.8% ndihen të sigurt në komunikimin online me shokët e klasës jashtë orarit të shkollës.
Lexoni raportin e plotë këtu.