Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

KOMF, Asociacioni i QPS-ve dhe RrGK kërkojnë rritjen e buxhetit për shërbimet sociale në Kosovë

QIKA 13.11.2026

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale dhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) u janë drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës me kërkesën për sigurimin e financimit të mjaftueshëm dhe të qëndrueshëm për shërbimet sociale në kuadër të shqyrtimit të Buxhetit për vitin 2027.

Tri organizatat theksojnë se financimi i pamjaftueshëm dhe jo i qëndrueshëm mbetet një nga mangësitë kryesore të sistemit të mbrojtjes sociale në Kosovë, duke kufizuar mundësinë e institucioneve dhe organizatave për të ofruar shërbime cilësore dhe në kohë për fëmijët, gratë dhe familjet në situata të cenueshme.

Sipas kërkesës, në vitin 2024 Kosova shpenzoi rreth 854.6 milionë euro për mbrojtjen sociale, por vetëm 1.6 për qind e këtyre shpenzimeve u dedikuan për shërbimet sociale. Ndërkohë, 38 Qendrat për Punë Sociale dhe rreth 50 organizata joqeveritare të licencuara që ofrojnë këto shërbime përballen me mungesë të burimeve njerëzore dhe financiare.

Organizatat nënvizojnë se në komunat e mëdha një zyrtar i Qendrës për Punë Sociale trajton mesatarisht rreth 350 lëndë aktive në vit, ndërsa në shumicën e komunave Organet e Kujdestarisë nuk janë të kompletuara me numrin e kërkuar ligjërisht prej pesë profesionistësh. Këto mangësi vështirësojnë identifikimin e hershëm të rrezikut, ndërhyrjen në situata emergjente dhe mbrojtjen e fëmijëve dhe grave nga dhuna dhe abuzimi.

Duke iu referuar rasteve tragjike të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve, përfshirë vrasjen e Arlinda Zekajt dhe vrasjen e foshnjës tre muajshe në Gjilan, organizatat theksojnë urgjencën e forcimit të mekanizmave institucionalë të mbrojtjes, përmes vlerësimit në kohë të rrezikut, koordinimit ndërinstitucional dhe qasjes në shërbime të specializuara.

Tri organizatat i kanë paraqitur Kuvendit tri kërkesa kryesore për Buxhetin e vitit 2027:

– Punësimin e 200 zyrtarëve të shërbimeve sociale në Qendrat për Punë Sociale, me fokus të veçantë te psikologët klinikë, si dhe sigurimin e infrastrukturës dhe mjeteve logjistike të nevojshme. Kostoja vjetore e parashikuar për këtë masë është rreth 1.68 milionë euro.

– Punësimin e zyrtarëve shtesë për trajtimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore, përfshirë dhunën seksuale dhe dhunën në familje. Propozimi parasheh dy zyrtarë për secilën komunë, ndërsa për Prishtinën katër, me një kosto shtesë prej rreth 707 mijë eurosh në vit.

– Rritjen e financimit për organizatat e licencuara që ofrojnë shërbime sociale dhe familjare, nga 2.5 milionë euro në së paku 5 milionë euro në vit. Sipas organizatave, financimi aktual nuk mbulon nevojat reale të ofruesve të shërbimeve. Vetëm për shpenzimet bazike të strehimoreve për viktimat e dhunës në familje nevojiten rreth 2.34 milionë euro, ndërsa shërbimet në familje dhe ato ditore financohen mesatarisht vetëm në masën 25 për qind të kostove të tyre.

    Në kërkesë theksohet gjithashtu se financimi aktual shtetëror për shërbimet sociale është rreth 20 milionë euro në vit, ndërsa për përmbushjen e nevojave dhe standardeve ligjore nevojiten edhe 16 milionë euro shtesë. Kjo do ta çonte financimin e përgjithshëm në rreth 36 milionë euro në vit.

    Sipas organizatave, financimi shtesë do të përbënte vetëm rreth 0.4 për qind të projektbuxhetit të Kosovës për vitin 2027, i cili është paraparë të jetë 4.27 miliardë euro, por do të mundësonte forcimin e parandalimit, ndërhyrjes së hershme dhe vazhdimësisë së shërbimeve sociale.

    Në përfundim, KOMF, Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale dhe RrGK u kanë bërë thirrje deputetëve që këto rekomandime t’i trajtojnë me prioritet gjatë shqyrtimit të Buxhetit të vitit 2027, duke siguruar financim që garanton shërbime cilësore, të qasshme dhe në kohë, me të drejtat, sigurinë dhe nevojat e fëmijëve, grave dhe familjeve në qendër.

    Lexoni kërkesën e plotë këtu.