Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Ridërgohet në Këshillin e Etikës rasti i profesorit Shkëlqim Millaku

QIKA 26.11.2026

Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren ka vendosur që rasti i profesorit Shkëlqim Millaku, ndaj të cilit Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë për veprën penale të kanosjes ndaj dy profesoreve të universitetit, t’i ridërgohet për shqyrtim Këshillit të Etikës.

Në një shkresë që Universiteti i Prizrenit ia ka dërguar QIKA-s ka bërë të ditur se Senati, në mbledhjen e mbajtur më 16 nëntor 2026, ka vendosur që çështja të rikthehet në Këshillin e Etikës, si organ kompetent për shqyrtimin e pretendimeve për shkelje disiplinore nga personeli akademik.

Sipas Universitetit, aktakuza e ngritur më 23 tetor 2026 përbën dokumentacion të ri në raport me vendimin procedural të Këshillit të Etikës të shkurtit 2026.

Universiteti ka bërë të ditur gjithashtu se është duke shqyrtuar kërkesën për konstatimin e shkakut ligjor të pezullimit dhe marrjen e masave për garantimin e sigurisë në vendin e punës. Për këtë kërkesë, sipas përgjigjes, do të merret një vendim i arsyetuar brenda afatit ligjor.

Universiteti ka bërë të ditur se ka marrë parasysh edhe interpretimin e QIKA-s lidhur me zbatimin e Rregullores për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Ngacmimet, të cilin organizata ia kishte përcjellë përmes një reagimi më 11 nëntor 2026.

“Referimet tuaja te Rregullorja për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Ngacmimet do t’i përcillen organit kompetent për të vlerësuar veprimet në kuadër të fushëveprimit të saj. Ndërkaq, kërkesa dhe rekomandimi juaj për pezullimin e përkohshëm do të jenë në trajtim nga Këshilli i Etikës, i cili do t’i vlerësojë në përputhje me kompetencat e tij”, thuhet në përgjigjen e Universitetit.

QIKA, ditë më parë, kishte kërkuar nga Universiteti që të ndërmarrë veprime konkrete institucionale për trajtimin e rastit, duke theksuar se ngritja e aktakuzës nuk duhet të shërbejë si arsye për mosveprim. Organizata kishte kërkuar gjithashtu aktivizimin e procedurave për mbrojtje nga ngacmimet, shqyrtimin e shkeljeve të mundshme të Kodit të Etikës dhe rekomandimin e pezullimit të përkohshëm të profesorit deri në përfundimin e procedurës gjyqësore.

Aktakuza ndaj Millakut lidhet me dy raste të ndara të kanosjes, të raportuara nga profesoret Vjollca Dibra-Ibrahimi dhe Rezarta Ramadani-Hyseni, të cilat kanë deklaruar se nuk ndihen të sigurta në vendin e tyre të punës.

QIKA ka theksuar se procedura penale dhe ajo etike janë procese të ndara dhe të pavarura, ndërsa ka kërkuar nga organet drejtuese të Universitetit që të garantojnë sigurinë e profesoreve, t’i mbrojnë ato nga çdo formë hakmarrjeje dhe të parandalojnë përsëritjen e rasteve të tilla.

Universiteti, në përgjigjen e tij, ka deklaruar se mbetet i angazhuar për krijimin e një mjedisi të sigurt pune dhe për trajtimin e paanshëm të të gjithë personave të përfshirë.