Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Prokuroria hedh poshtë kallëzimin penal ndaj aktivistëve që protestuan kundër Xhevat Krasniqit

QIKA 27.11.2026

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka hedhur poshtë kallëzimin penal ndaj aktivisteve Blenda Asllani dhe Leonida Molliqaj, të cilat ishin denoncuar për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, nga profesori Xhevat Krasniqi, ndaj të cilit është ngritur aktakuzë për “Ngacmim seksual”. Në mesin e personave ndaj të cilëve ishte paraqitur kallëzimi penal ishin edhe gazetarja Jeta Xharra, aktivisti Dibran Hoxha dhe disa studente të Fakultetit të Mjekësisë.

Denoncimi kishte ardhur pas protestave dhe aksioneve që kundërshtonin ngacmimet seksuale në Universitetin e Prishtinës dhe shprehnin mbështetje për studentet që e kishin raportuar atë.

Vendimi i Prokurorisë është marrë më 30 tetor 2026, pas shqyrtimit të provave dhe rrethanave të paraqitura në kallëzimin penal lidhur me ngjarjen e 18 prillit 2024, në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës.

Në arsyetimin e vendimit, Prokuroria vlerëson se veprimet e përshkruara kanë ndodhur në kuadër të një proteste paqësore të studenteve dhe aktivisteve, të cilat shprehnin pakënaqësinë dhe kundërshtimin e tyre ndaj profesorit Xhevat Krasniqi.

Duke iu referuar të drejtës kushtetuese për protestë, Prokuroria thekson në shkresën e saj: “Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në nenin 43, garanton lirinë e tubimit paqësor, duke përfshirë të drejtën e çdo personi për të organizuar tubime, protesta dhe demonstrata dhe për të marrë pjesë në to.”

Në vlerësimin e provave, Prokuroria thekson se nuk është dëshmuar përdorimi i forcës apo kanosjes serioze ndaj personit zyrtar.

Kujtojmë se më 11 prill 2025, Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj Xhevat Krasniqit, pas denoncimit të 27 studenteve të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmim seksual. Seanca e fundit gjyqësore, e paraparë të mbahej më 13 nëntor 2026, dështoi për shkak të mungesës së prokurorit të shtetit ndërsa seanca e radhës u caktua për 24 dhjetor 2026, në orën 09:30.