Në kuadër të 25 Nëntorit, Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, dhe fillimit të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, në Prishtinë u zhvilluan tri aksione që adresuan femicidin, dhunën ndaj grave dhe përgjegjësinë institucionale për mbrojtjen e jetës së tyre.
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), së bashku me organizata të tjera, aktiviste dhe aktivistë, organizoi protestën “Kundër vrasjes së grave! Femicidi të trajtohet si urgjencë kombëtare!”, duke kërkuar veprime konkrete dhe llogaridhënie institucionale për parandalimin e vrasjeve të grave dhe të gjitha formave të dhunës me bazë gjinore.
Përmes protestës, u paraqitën një sërë kërkesash drejtuar institucioneve, ndër të cilat ndryshimi i Kodit Penal për ta përcaktuar dhe kriminalizuar femicidin si vepër të veçantë penale, themelimi i mekanizmit “Femicide Watch” për monitorimin e rasteve të femicidit dhe identifikimin e dështimeve institucionale, si dhe financimi i qëndrueshëm i strehimoreve dhe shërbimeve të specializuara për mbrojtjen e grave.
Po ashtu, protestueset dhe protestuesit kërkuan zbatim të plotë të ligjeve, vlerësim serioz të rrezikut dhe reagim të menjëhershëm ndaj rasteve të dhunës, si dhe mbajtjen e zyrtarëve përgjegjës kur nuk i përmbushin detyrimet e tyre për mbrojtjen e grave.
Në të njëjtën ditë, aksionin artistik rrugor “Oja t’prera”, të konceptuar dhe drejtuar artistikisht nga Ms. Indefinite, e karakterizoi trajtimi i femicidit si ndërprerje e jetës, lirisë dhe së ardhmes së grave. Përmes një performance simbolike, artistja vuri në pah hendekun ndërmjet kohës institucionale dhe kohës së grave që përballen me rrezikun e dhunës.
Në qendër të performancës ishin dymbëdhjetë trungje druri të radhitura në formë ore, të cilat simbolizonin kohën burokratike dhe pritjen ciklike për drejtësi. Ndërsa artistja lëvizte në rrethin e krijuar nga trungjet, goditjet me sëpatë materializonin ndërprerjen e jetëve dhe të ardhmeve që dhuna ua mohon grave.
Në përfundim të performancës, artistja hoqi shaminë e bardhë të punuar me oja dhe e lidhi në sëpatë, duke e shndërruar në flamur. Oja, si punim tradicional që zbukuron skajet e petkut, u përdor si metaforë për pozitën historike të grave, të cilat kanë punuar për të zbukuruar skajet e botës, ndërkohë që vetë janë mbajtur në margjinat e saj.
Ndërkaq, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist zhvilloi aksionin “Keni m’u përgjigjë” para Ministrisë së Drejtësisë. Aktivistet dhe aktivistët projektuan fotografinë e Arlindës mbi figurën e vendosur nga vetë Ministria në objektin e saj, duke e shoqëruar me mbishkrimin “Keni m’u përgjigjë” dhe simbolin kundër dhunës në familje.
Në reagimin e publikuar, kolektivi kritikoi institucionet për organizimin e aktiviteteve në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit, ndërkohë që, sipas tij, kanë dështuar ta mbrojnë Arlindën.
“Sot, vetëm pak javë pas vrasjes së Arlindës, të njëjtat institucione që dështuan ta mbrojnë Arlindën, u mblodhën rreth motos ‘Raporto dhunën. Raporto dhunuesin’”, thuhet në deklaratë.
Kolektivi rikujtoi se Arlinda e kishte raportuar dhunën, por nuk arriti të mbrohej. Po ashtu, denoncoi pengimin e aktivisteve dhe aktivistëve për t’iu afruar Ministrisë së Drejtësisë. Sipas deklaratës, atyre nuk iu lejua as hyrja në oborrin e Ministrisë, ndërsa kordoni policor ua pamundësoi afrimin te përfaqësuesit institucionalë që po merrnin pjesë në aktivitetet e fushatës.
Përmes aksionit, kolektivi kërkoi llogaridhënie institucionale dhe drejtësi për Arlindën dhe të gjitha gratë e vrara. “Ne nuk ndalemi deri kur drejtësia për Arlindën dhe të gjitha gratë e vrara të vihet në vend”, përfundon deklarata.
Përmes protestës, performancës artistike dhe aksionit para Ministrisë së Drejtësisë, tri ndërhyrjet feministe e vendosën në qendër të vëmendjes përgjegjësinë institucionale për parandalimin e dhunës ndaj grave. Ato rikthyen kërkesën që raportimet për dhunë të merren seriozisht, që institucionet të veprojnë para se dhuna të përshkallëzohet dhe që drejtësia të mos mbetet vetëm një kërkesë pas vrasjes së grave.