Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Ukraina planifikon që gratë në ushtrinë e saj të marshojnë në taka

QIKA 5.7.2021

Planet nga ministria e mbrojtjes në Ukrainë që ushtaret gra të marshojnë me taka të larta në vend të çizmeve të ushtrisë në një paradë muajin e ardhshëm, kanë shkaktuar shumë reagime e zemërime.

Iryna Gerashchenko, anëtare e parlamentit në opozitë tha se kjo paraqet seksizëm, jo barazi. Ukraina po përgatitet të zhvillojë një paradë ushtarake në 24 gusht, për të shënuar 30 vjet pavarësi pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Ministria e mbrojtjes thotë se takat janë pjesë e rregullores së uniformës.

Shumë persona në Ukrainë shprehën tronditje pas këtij njoftimi, ku edhe një grup ligjvënësish po i bën thirrje Ministrit të Mbrojtjes Andriy Taran që të kërkojë falje, raporton BBC.

“Një paradë me ecje në taka është një turp i vërtetë,” tha komentatori Vitali Portnikov në Facebook, duke shtuar poashtu se disa zyrtarë kishin mendime “mesjetare”.

Zonja Gerashchenko tha se fillimisht mendoi se fotografitë e grave ushtare që bënin prova me pantallona ushtrie dhe taka ishin një mashtrim. Ajo pyeste veten pse ministria mendonte që takat ishin më të rëndësishme sesa parzmore trupore të përshtatshme për gratë.

Olena Kondratyuk, nënkryetare e parlamentit, theksoi se më shumë se 13,500 gra kishin luftuar në konfliktin aktual duke vendosur Ukrainën kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia në lindje.

Më shumë se 31,000 gra tani shërbejnë në forcat e armatosura të vendit, duke përfshirë më shumë se 4,000 oficere.