Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Amnesty International: Dështimet në hetimet e vrasjeve të grave në Meksikë shkelin të drejtat e grave për jetën, sigurinë fizike dhe qasjen në drejtësi

QIKA 21.9.2021

Hetimet e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit të Meksikës mbi femicidet janë duke dështuar për shkak të mosveprimit dhe neglizhencës së autoriteteve shtetërore që çojnë në humbjen e provave, mos-hetimin e rasteve dhe mungesës së trajtimit të këtyre rasteve nga perspektiva gjinore.

Amnesty International ka publikuar një raport mbi këtë çështje dhe sipas të gjeturave këto mangësi në sistemin gjyqësor në Meksikë rrisin gjasat që rastet të mbesin të pandëshkuara.

Vetëm përgjatë vitit 2020 në Meksikë janë regjistruar 3,723 vrasje të grave, prej të cilave 940 u hetuan si femicid në 32 shtete të vendit. Në raport dokumentohen katër rastet emblematike të femicidit, ato të Nadia Muciño Márquez e vrarë në 2004, Daniela Sánchez Curiel e cila rezulton e zhdukur që nga viti 2015, Diana Velázquez Florencio e zhdukur dhe e vrarë në 2017 dhe Julia Sosa Conde e zhdukur dhe e vrarë në fund të vitit 2018, raporton Amnesty international.

Sipas të dhënave të raportit tregohet se autoritetet shtetërore kanë dështuar të shqyrtojnë vendin e krimit, të ruajnë provat e mbledhura apo të kryejnë procese mjeko-ligjore, gjë e cila më pas ka ndikuar në humbjen e të dhënave dhe dëshmive.

Këto dështime të njëpasnjëshme pasqyrojnë qartazi shkeljen e të drejtave të njeriut e në veçanti të grave për jetën dhe sigurinë e tyre fizike, si dhe shkelje e të drejtave të familjarëve të tyre për mbrojtje gjyqësore dhe qasje në drejtësi.

Disa nga rekomandimet e raportit të Amnesty International i janë drejtuar:

-Zyrës Qendrore të Prokurorit të Përgjithshëm për Krimet e Lidhura me Dhunën me Bazë Gjinore që të sigurojë burimet njerëzore dhe financiare të nevojshme për të kryer funksionin e saj në mënyrë efikase, si dhe të ofrojë trajnime që hetojnë zhdukjet dhe vrasjet e grave nga perspektiva gjinore;

-Kongresit të Shtetit të Meksikës që të kryej funksionet ashtu siç duhet;

-Komisionit të të Drejtave të Njeriut të Shtetit të Meksikës që të hetojë problemin e dështimeve në hetimet penale të krimeve të dhunës ndaj grave, me theks të veçantë në femicid dhe zhdukjen e grave;

-Autoriteteve Federale që të pranojnë publikisht shkallën e problemit të vrasjeve dhe zhdukjeve të grave në Meksikë, si dhe dështimet në hetimet e këtyre krimeve.