Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Seksizmi dhe misogjinia janë faktorët kryesor që po ndikojnë në rritjen e censurës gjinore

QIKA 21.10.2021

Irene Khan, raportuesja speciale për mbrojtjen e lirisë së mendimit dhe shprehjes, ka paraqitur raportin e saj mbi drejtësinë gjinore dhe shprehjen e lirë, me ç’rast ajo ka pohuar se zërat e grave shtypen, kontrollohen dhe ndëshkohen në mënyrë eksplicite nga ligjet, politikat dhe praktikat diskriminuese.

Përderisa shtetet vazhdojnë të dështojnë në respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të grave, censura gjinore është përhapur tej mase, duke bërë kështu që barazia e grave në lidhje me lirinë e shprehjes të shihet si qëllim i largët.

Faktorët kryesor që po ndikojnë në rritjen e censurës gjinore janë seksizmi dhe misogjinia, të cilat po shpërfaqen edhe më shumë si pasojë e rritjes së forcave populiste, autoritare dhe fundamentaliste nëpër botë. Gratë po censurohen dhe kriminalizohen nga qeveritë nën arsyetimin e mbrojtjes së moralit publik, raporton United Nations.

Khan pohoi se gratë gazetare, politikane si dhe aktiviste feministe janë vënë në shënjestër të sulmeve dhe kanosjeve në internet, gjë që synon largimin e tyre nga platforma e mediave sociale dhe nga jeta publike. Ajo u bëri thirrje qeverive të ndalojnë ndarjen dixhitale gjinore dhe barrierat e tjera të grave si qasja në informacion, duke përfshirë këtu shëndetin, të drejtat seksuale dhe riprodhuese.