Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë janë të nënpërfaqësuara në filmat mbi inteligjencën artificiale

QIKA 13.2.2023

Një studim ka gjetur se një numër i madh i filmave duke filluar nga “Iron Man” e deri tek “Ex Machina” kanë kontribuar në rrënjosjen e pabarazisë sistematike gjinore në industrinë e inteligjencës artificiale (IA) duke portretizuar studiuesit e IA pothuajse ekskluzivisht si burra.

“Mbizotërimi i burrave si studiues kryesorë të IA në filma ka formësuar perceptimet publike për industrinë dhe ai rrezikon të kontribuojë në një mungesë dramatike të grave në fuqinë punëtore të teknologjisë”, thonë autorët e studimit.

Përtej ndikimit në ekuilibrin gjinor, studimi ngre shqetësime në lidhje me efektet e produkteve që favorizojnë përdoruesit burra sepse ato produkte zhvillohen nga “një tufë e burrave” siç e quan ish-punonjësja e Microsoft Margaret Mitchell.

“Duke pasur parasysh se inxhinierët burra rregullisht kanë dizajnuar produkte më të përshtatshme për përdoruesit burra, punësimi i më shumë grave është thelbësor për adresimin e paragjykimeve dhe stereotipeve në teknologjitë e IA”, shkruajnë autoret e studimit.

Studiueset në Universitetin e Cambridge shqyrtuan më shumë se 1,400 filma të publikuar midis 1920 dhe 2020 dhe u fokusuan në 142 filmat më me ndikim që shfaqin elemente të inteligjencës artificiale. Analiza e tyre identifikoi 116 personazhe që luajnë rolin e profesionistëve të IA. Vetëm nëntë prej tyre ishin gra, nga të cilat pesë në film paraqiteshin si punonjëse të një burri ose ishin fëmijë ose partnere të një inxhinieri më të moshuar.