Aktivistja e njohur për të drejtat e njeriut Loujain al-Hathloul u lirua më 10 shkurt të këtij viti pas burgimit mbi 1001 ditësh. Ajo u arrestua në mars të vitit 2018 me ç ‘rast u dënua me pesë vjet e tetë muaj burgim nën ligjin e anti-terrorizmit të Arabisë Saudite. Kjo ndodhi për shkak të fushatës që bëri ajo për të drejtat e grave për ngasje të makinës si dhe për ti dhënë fund sistemit të kujdestarisë së burrave.
Para se të dërgohej në burg, Hathloul u mbajt në izolim shtëpiak pasi që mediat Saudite e kishin etiketuar atë si tradhtare. Ajo së bashku me aktiviste të tjera u mbajtën me muaj të izoluara duke iu nënshtruar abuzimit, goditjeve dhe sulmeve seksuale. Megjithatë, autoritetet saudite mohojnë një gjë të tillë.
Sipas burimeve të CNN, Hathloul do të qëndrojë në lirim me kusht për tre vite dhe gjithashtu do ti ndalohet udhëtimi për pesë vite.
Zëvendës drejtorja e Amnesty International për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Lynn Maalouf, tha që “lirimi i Loujain al-Hathoul pas një periudhe të rëndë në burg në Arabinë Saudite, që zgjati gati tre vite, është një lehtësim i pabesueshëm por i vonuar”. Sipas saj asgjë nuk mund ta kompensojë trajtimin mizor që ka pësuar aktivistja Hathoul. Gjatë kohës së burgimit ajo u torturua, u ngacmua seksualisht, u mbajt në izolim dhe iu ndalua që të vizitonte familjen me muaj të tërë. Maalouf u bëri thirrje autoriteteve që të gjejnë personat përgjegjës për torturat dhe keqtrajtimet që ia kishin shkaktuar aktivistes Hathoul.
Familja Hathoul po e mbështet atë në përpjekjet e saj për të dhënë prova se ajo dhe të burgosurit e tjerë i janë nënshtruar torturave gjatë arrestimit.