Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Pas skandalit në Spanjë, shkarkohet trajneri i ekipit kombëtar të futbollit të grave

QIKA 13.9.2023

Jorge Vilda, trajneri i futbollit në ekipin kombëtar të grave në Spanjë, të martën u shkarkua nga kjo pozitë. Ky vendim erdhi nga Federata e Futbollit Spanjoll pas premtimeve për ndryshime strukturore në mes polemikave të vazhdueshme që rrjedhën pasi presidenti i kësaj Federate, Luis Rubiales puthi me forcë lojtaren e ekipit të grave Jenni Hermoso pas fitores së ekipit të saj në Kupën së Botës.

“Federata e Futbollit Spanjoll, në një nga masat e para të ndryshimeve të shpallura nga Presidenti Pedro Rocha, ka vendosur të heqë dorë nga Jorge Vilda si drejtor sportiv dhe trajner i kombëtares së grave”, njoftoi Federata në një deklaratë, raporton ABC News.

Vilda ishte një aleat i ngushtë me Rubiales dhe u pa duke duartrokitur fjalimin e tij ku deklarohej se nuk do të jepte dorëheqje, pesë ditë pasi puthi me forcë Hermoso-n. Vilda poashtu nuk ishte i pëlqyer nga vetë lojtaret e ekipit të tij. Në shtator të vitit të kaluar, ai refuzoi të jepte dorëheqjen edhe pasi 15 lojtare në ekip i shkruan një letër Federatës duke kërkuar dorëheqjen e tij për shkak se i shihnin stërvitjet e tij si të papërshtatshme dhe çështjeve që lidhen me privatësinë dhe mirëqenien e lojtareve. Federata në atë kohë mbajti anën e Vildës.

Megjithatë, pas shkarkimit të tij tani, Federata njoftoi gjithashtu se ndihmës-trajneri Montse Tomé do të zërë vendin e Vildës si trajnere e ekipit kombëtar. Kjo do të thotë që ajo është gruaja e parë që do të mbajë atë pozicion. Ndeshja e saj e parë si trajnere do të jetë ndeshja e UEFA-s në Ligën e Kombeve të Grave kundër Suedisë më 22 shtator.