Aktivistja iraniane Narges Mohammadi fitoi çmimin Nobel për Paqe në shenjë mirënjohjeje për fushatën e saj të palodhshme për të drejtat e grave, demokracinë dhe kundër dënimit me vdekje. 51 vjeçarja ka vazhduar aktivizmin e saj pavarësisht përndjekjes nga autoritetet.
“Ky çmim është para së gjithash një njohje e punës shumë të rëndësishme të një lëvizjeje në të gjithë Iranin së bashku me udhëheqësen e saj të palodhshme, Nargis Mohammadi”, tha Berit Reiss-Andersen, kryetarja e Komitetit Norvegjez të Nobelit që shpalli çmimin në Oslo.
“Komiteti shpreson se çmimi është një inkurajim për të vazhduar punën në cilëndo formë që kjo lëvizje e sheh të përshtatshme”, shtoi ajo duke kërkuar gjithashtu që Irani ta lirojë Mohammadin për ceremoninë e çmimit më 10 dhjetor.
Mohammadi është burgosur 13 herë dhe është dënuar pesë herë. Në total ajo është dënuar me 31 vite burg. Burgosja më e fundit e Mohammadit filloi kur ajo u arrestua në vitin 2021 pasi mori pjesë në një memorial për një person të vrarë në protestat mbarëkombëtare të nxitura nga rritja e çmimeve të benzinës.
“Mbështetja globale dhe njohja e avokimit tim për të drejtat e njeriut më bën më të vendosur, më të përgjegjshme, më pasionante dhe më shpresëdhënës”, tha Mohammadi në një deklaratë për The New York Times. “Unë gjithashtu shpresoj se kjo njohje i bën iranianët që protestojnë për ndryshim më të fortë dhe më të organizuar. Fitorja është afër”, deklaroi ajo.