Një gjykatë ne Japoni deklaroi se është jokushtetuese të kërkohet nga personat transgjinorë që të heqin organet e tyre riprodhuese aktuale përmes operacionit në mënyrë që të ndryshojnë gjininë në dokumentacionin zyrtar.
Vendimi vie pas ushtrimit të padisë së 48 vjeçarit Gen Suzuki, i cili në vitin 2021 kishte kërkuar një vendim gjykate që do t’i lejonte ndryshimin nga seksi biologjik femër në mashkull, për t’iu përshtatur identitetit të tij gjinor pa operacion, raporton AP News.
Ky vendim ka ardhur në një kohë të rritjes së ndërgjegjësimit për çështjet që lidhen me njerëzit LGBTQ+ në Japoni. Gjykata Shizuoka deklaroi: “një pranim shoqëror në rritje i diversitetit seksual dhe atij gjinor e bën të vjetruar kërkesën për t’iu nënshtruar një operacioni për të eliminuar mundësinë e lindjes së fëmijëve dhe bie ndesh me një përpjekje globale drejt krijimit të një shoqërie më gjithëpërfshirëse”.
Suzuki e mirëpriti vendimin dhe tha se ishte i inkurajuar nga ndryshimet pozitive në shoqëri. “Dua që fëmijët të kenë shpresë. Unë dua të shoh një shoqëri ku diversiteti seksual pranohet natyrshëm”, shtoi ai. Aktivistët dhe mbështetësit e komunitetit LGBTQ+ në rrjete sociale e mirëpritën vendimin dhe e uruan Suzuki-n.
Poashtu, një padi e ngjashme e ngritur nga një grua transgjinore që kërkon njohjen e gjinisë së saj pa operacion është në pritje në Gjykatën e Lartë, vendimi i së cilës pritet të merret në fund të dhjetorit.