Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Roli i grave në ruajtjen e paqes është më i rëndësishëm se kurrë më parë

QIKA 30.10.2023

Më 25 tetor, Kombet e Bashkuara shënuan 23 vjetorin e miratimit të rezolutës Gratë, Paqja dhe Siguria (WPS) që shërben për të përmirësuar mbrojtjen e grave dhe vajzave gjatë konflikteve dhe për të njohur udhëheqjen dhe rolet e tyre unike në proceset e paqes.

Sot, më shumë se 600 milionë gra dhe vajza jetojnë në vendet e prekura nga konflikti. Në vitin 2022, Kombet e Bashkuara verifikuan rreth 2500 raste të dhunës seksuale, kryesisht ndaj grave në zonat e konfliktit. Po atë vit, mbi 30 gra mbrojtëse të të drejtave të njeriut u vranë në ato zona. Shumë krime të tilla kundër grave dhe vajzave nuk raportohen dhe mbesin pa u ndëshkuar.

Pavarësisht tendencave të tilla shqetësuese, shumë procese paqeje dhe negociata zhvillohen pa ndërmjetësuese dhe/ose nënshkruese gra. Sipas UN Women, vitin e kaluar, në nivel global vetëm gjashtë nga 18 marrëveshjet e paqes përfshinin dispozita të ndjeshme ndaj gjinisë dhe vetëm një u nënshkrua ose u dëshmua nga një përfaqësuese e një organizate të grave.

“Ne kemi nevojë për një ndryshim paradigme që sjell barazi të vërtetë. Demokracia e plotë ka nevojë për pjesëmarrjen e barabartë të grave në të gjitha proceset e saj”, tha Sima Bahous, Drejtore Ekzekutive e UN Women, kur ajo iu drejtua Këshillit të Sigurimit për WPS në fillim të këtij viti.