Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Klinika Infektive ka filluar ofrimin e PrEP falas

QIKA 18.6.2024

Nga 12 qershori në Klinikën Infektive në QKUK ka filluar ofrimi i PrEP falas. PrEP është një ilaç i cili ka për qëllim mbrojtjen nga virusi HIV edhe në rastet kur personi është ekspozuar ndaj virusit.

Njoftimin për ofrimin e kësaj terapie e ka bërë të ditur CSGD përmes një komunikate ku thuhet: “Pas një periudhe të gjatë të avokimit dhe angazhimit të CSGD, nga 12 qershori 2024, në kliniken infektive në QKUK ka filluar ofrimi i PrEP falas. PrEP është terapi e cila parandalon infektimin me HIV në rastet e ekspozimit ndaj virusit. Për më shumë detaje sesi mund ta merrni terapinë, ju lutemi që të na kontaktoni në rrjetet tona sociale”.

PrEP është akronim i cili në gjuhën angleze qëndron për Pre-exposure prophylaxis dhe do të thotë Parandalim para ekspozimit në shqip. PrEP është një ilaç që merret për të parandaluar marrjen e HIV-it dhe është shumë efektiv nëse merret siç përshkruhet.

Sipas Centers for Disease Control and Prevention, PrEP zvogëlon rreth 99% rrezikun e transmetimit të HIV përmes kontaktit seksual, ndërsa zvogëlon rreth 74% mundësinë e infektimit me HIV nga përdorimi i drogës me injeksion.

PrEP mbron vetëm nga HIV, ndaj përdorimi i kondomit mbetet ende shumë i rëndësishëm për t’u mbrojtur nga sëmundjet e tjera seksualisht të transmetueshme.