Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Organizatat e drejtuara nga gratë palestineze janë në front të reagimit humanitar në Gaza dhe Bregun Perëndimor

QIKA 19.6.2024

Paralajmërimi i fundit gjinor i OKB-së për luftën në Gaza zbulon sfidat tronditëse me të cilat përballen organizatat palestineze të udhëhequra nga gratë, thekson angazhimin e tyre të palëkundur për të shpëtuar jetë dhe bën thirrje për investime urgjente dhe të koordinuara në operacionet e tyre në terren.

Organizatat e udhëhequra nga gratë po veprojnë në disa nga zonat më të rrezikshme dhe sfiduese të Gazës dhe Bregut Perëndimor. Përhapja e tyre e gjerë në komunitet i pozicionon ato në hapësirat më të mira për të kontaktuar gratë dhe vajzat më në nevojë.

Gjatë tetë muajve të fundit të luftës, UN Women ka publikuar një sërë alarmesh gjinore që dokumentojnë se si jetët e grave dhe vajzave janë përkeqësuar në të gjithë sektorët, nga siguria ushqimore deri te strehimi, shëndeti dhe siguria e përgjithshme. Të dhënat e reja të UN Women të mbledhura në prill 2024, tregojnë përkeqësimin e vazhdueshëm të kushteve themelore për mbijetesë të grave, me mbi 80% të grave të intervistuara në Gaza që raportuan një varësi nga ndihma ushqimore dhe 83.5% raportuan se ndihma që ato morën ishte e pamjaftueshme për të përmbushur nevojat e tyre elementare familjare.

UN Women nis alarmin e katërt gjinor, i fokusuar në punën e Organizatave të Udhëhequra nga Gratë (WLO). Raporti detajon gjetjet e një vlerësimi për 25 organizata palestineze të udhëhequra nga gratë që veprojnë në Gaza dhe Bregun Perëndimor. Kjo tregon se, përkundër kësaj situate të rëndë, këto organizata janë në ballë të reagimit humanitar. Së bashku, këto 25 organizata mbajnë një rrjet prej 1,575 anëtarësh të stafit në të gjithë Gazën dhe Bregun Perëndimor. Vlerësimi tregon se 89% e organizatave të anketuara kanë pësuar dëmtime në zyrat e tyre, ku 35% kanë pësuar shkatërrim të plotë. Këto zyra shërbejnë si qendra operative dhe janë jetike për ofrimin e ndihmës dhe koordinimit.

Përderisa shërbimet e tyre janë jetike dhe ato vazhdojnë të përshtaten dhe rregullojnë shpërndarjen e resurseve të tyre, vështirësitë financiare janë shumë të theksuara, me 56% të organizatave të drejtuara nga gratë që raportojnë ulje të financimit dhe 88% që përballen me vështirësi të mëdha financiare, duke penguar aftësinë e tyre për të ofruar shërbime.

Duke njohur rolin e tyre thelbësor në krizë dhe rimëkëmbje, UN Women dhe organizatat e udhëhequra nga gratë nxisin komunitetin ndërkombëtar dhe palët e interesuara të ndërmarrin veprime vendimtare: të financojnë në mënyrë aktive organizatat e udhëhequra nga gratë, që janë jetike për të arritur te gratë dhe vajzat në nevojë; të avokojnë për rritjen në qasje humanitare, duke u mundësuar këtyre organizatave të zgjerojnë veprimet e tyre shpëtimtare; dhe përfshirja e organizatave të udhëhequra nga gratë në të gjitha strukturat e koordinimit humanitar për të siguruar një përgjigje humanitare vërtet efektive dhe gjithëpërfshirëse.