Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Vajzat afgane akuzojnë talibanët për abuzime seksuale pas arrestimeve për mbajtje joadekuate të hixhabit

QIKA 25.6.2024

Vajzat adoleshente dhe gratë e reja të cilat janë arrestuar nga talibanët për mbajtje joadekuate të hixhabit tregojnë se në paraburgim kanë përjetuar sulme dhe dhunë seksuale dhe në më shumë se një rast këto abuzime seksuale çuan në vetëvrasje dhe tentim për vetëvrasje.

OKB-ja thotë se në dhjetor 2023 dhe janar 2024 shumë gra u arrestuan nga talibanët për veshjen joadekuate që njihet si “hixhabi i keq”, pas një dekreti sipas të cilit gratë duhet të mbulohen nga koka te këmbët, dhe mund të zbulojnë vetëm sytë.

Familja e 16-vjeçares Zahra* tha se ajo dhe një vajzë tjetër adoleshente u arrestuan në një dyqan në perëndim të Kabulit në dhjetor 2023. Nëna e saj, Somaia*, tregoi se ato ishin mbajtur në paraburgim për 2 javë dhe kur u kthye “Zahra nuk ishte më vajza që ishte dy javë më parë”. Ajo kishte treguar se ajo as nuk kishte ngrënë e as nuk kishte folur që nga kthimi. “Rrinte ulur në një dhomë dhe qante. Nuk guxoja të pyesja e çka kishte ndodhur”, tha ajo.

“Në mes të natës u zgjova dhe kuptova se Zahra nuk ishte aty. E zgjova burrin tim dhe filluam ta kërkojmë në të gjitha dhomat. Burri im e gjeti trupin e saj të pajetë. Ajo e kishte… [vrarë veten].” tha nëna e saj, Somaia.

Vdekja e Zahra-s nuk ishte tragjedia e vetme e lidhur me arrestimin e grave për mënyrën se si ato mbajnë hixhabin, raporton The Guardian.

Në dhjetor të vitit 2023, një studente 23-vjeçare thuhet gjithashtu se u arrestua nga talibanët. Marina Sadat kishte qenë rrugës për në Institutin e Shkencave Shëndetësore Farabi, ku po studionte për mami, e vetmja mundësi arsimore e qasshme për gratë në Afganistan. 22 ditë më vonë, njerëzit që e njohin familjen e saj treguan se trupi i saj me shenja dhune u gjet brenda një thesi, në një kanal në lagjen Paghman të Kabulit.

Trupi i pajetë i një gruaje tjetër dyshohet se u gjet në një kanal disa javë pasi ajo ishte mbajtur në paraburgim nga militantët talibanë dhe një burim pranë familjes ka treguar se ajo ishte abuzuar seksualisht gjatë kohës sa ishte në paraburgim.

Amina*, studente e mjekësisë 22-vjeçare, tha se kaloi tri netë në një burg taliban pasi u arrestua në janar 2024. Ajo ishte marrë në pyetje nga një burrë i moshuar i cili e kishte pyetur për menstruacionet e saj dhe nëse ishte e martuar apo jo. Teksa i ishte përgjëruar që ta vriste e mos ta ngacmonte, ai i kishte thënë “Meqë je e etur për të vdekur, do të vras, por para kësaj, do të argëtohem me ty”.

“Më pas filloi të më prekte pjesët intime. Më ra të fikët 2 herë gjatë marrjes në pyetje, por çdo herë ai më hidhte ujë të ftohtë në kokë.”, tha Amina teksa shtoi se kjo i ndodhte çdo vajze që çohej në atë dhomë të marrjes në pyetje. “Tani nuk mund të fle natën, jam shumë e frikësuar dhe sa herë që shoh ushtarët talibanë, më bie të fikët. Kam tentuar të vras veten dy herë.”, tha ajo.

Më 4 janar, një zëdhënës i ministrisë së vesit dhe virtytit të talibanëve i tha Associated Press se gratë që u arrestuan “shkelën vlerat dhe ritualet islame dhe inkurajuan shoqërinë dhe motrat e tjera të respektuara që të vishnin hixhab të keq… [në] çdo krahinë, kudo që ato të shkojnë pa hixhab do të arrestohen.”

Edhe pasi kjo sjellje u kritikua në Afganistan dhe jashtë tij, Zabihullah Mujahid, zëdhënësi i talibanëve, më vonë mohoi se kishin ndodhur arrestime për “hixhabin e keq” apo se vajzat dhe gratë ishin sulmuar seksualisht dhe përdhunuar në paraburgim.

Raportimet për abuzimet seksuale në paraburgim janë publikuar disa ditë para se OKB-ja të mbajë një samit për Afganistanin në Doha më 30 qershor, ku nuk do të marrë pjesë asnjë grua afgane dhe ku të drejtat e grave nuk do të diskutohen.

*Emrat janë ndryshuar për të mbrojtur identitetin e të intervistuarve dhe shkrimtarëve me bazë në Afganistan