Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Filipinet po konsiderojnë ta bëjnë divorcin të ligjshëm

QIKA 15.7.2024

Filipine është i vetmi vend, përveç Vatikanit, ku një çift i martuar nuk mund të divorcohen ligjërisht, edhe në rastet e tradhtisë ose abuzimit në familje. Kjo mund të ndryshojë me një projektligj të ri.

Në maj të këtij viti, Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi Projektligjin për Divorcin Absolut dhe nëse kalon në Senat, divorci bëhet i ligjshëm.

Presidenti Ferdinand Marcos Jr u ​​shpreh i hapur për legalizimin e divorcit kur erdhi në detyrë në vitin 2022. Kurse, sipas një sondazhi të kryer në mars nga instituti kërkimor Social Weather Stations, 50% e të rriturve filipinas mbështesin legalizimin e divorcit dhe 31% janë kundër.

Filipinasit mund të paraqesin kërkesë për ndarje ligjore, e cila i lejon bashkëshortët të jetojnë të ndarë, por kjo nuk i jep fund ligjërisht martesës. Ata gjithashtu mund të bëjnë kërkesë për prishje të martesës, gjë që është e kushtueshme dhe kërkon prova të qarta që kontrata e martesës është e pavlefshme.

Kundërshtimi ndaj divorcit është i lidhur ngushtë me kishën më të madhe në vend, Iglesia in Cristo, e cila ndalon divorcin midis famullitarëve të saj. Tutje, besimtarët katolik besojnë se martesa është e shenjtë dhe duhet të ndodhë vetëm një herë.

Në Manila të Filipineve, 6 vjet më parë, Michelle Bulang u largua nga burri i saj abuziv. Por edhe pas gjithë asaj që kishte kaluar, Michelle, e cila jeton me katër fëmijët e saj, nuk mund të divorcohet nga ai pa një proces të kushtueshëm dhe ndarje të vështirë, të cilin ajo nuk mund ta përballojë. “Unë thjesht dua të jem e lumtur”, tha Michelle.

Paraqitja e peticionit për ndarje kushton deri në 4,000 dollarë për të punësuar një avokat, plus tarifën e paraqitjes së avokatit për datën e seancës e cila kushton rreth 100 dollarë. Përveç kostove, gjykatat në Filipine janë shumë teknike dhe hedhin poshtë tërë peticionin nëse mungon ndonjë pjesë e dokumentacionit.

Disa filipinasë detyrohen të marrin masa ekstreme për t’i shpëtuar martesave të tyre, madje duke u zhvendosur në vende të tjera për të paraqitur kërkesën për divorc në gjykatat jashtë vendit, pastaj duke shpresuar që procesi do të njihet në Filipine.

Sipas regjistrimit të vitit 2020 nga Autoriteti i Statistikave të Filipineve, rreth 1.6 milion filipinase ishin të listuar si të prishur, ndarë, apo divorcuar. Përveç divorceve jashtë vendit, divorcet e kufizuara lejohen midis myslimanëve filipinasë sipas ligjit islamik.

Më shumë se 40 grupe u mblodhën muajin e kaluar për të formuar Super Koalicionin Kundër Divorcit, i cili synon “të punojë së bashku për të parandaluar miratimin e ligjeve kundër familjes dhe kundër jetës “.

“Divorci shkatërron familjet në masë të madhe”, tha Tim Laws, një aktivist në Fondacionin Aleanca për Familjen Filipine, Inc. (ALFI). Gjithsesi, anëtarët e këtij fondacioni mbështesin që ndarja të bëhet falas ose me kosto të ulët në rastet e martesave abuzive.

Kongresi aktual përfundon në maj 2025 dhe shumë senatorë në detyrë mund të hezitojnë të mbështesin një projektligj për divorcin ndërsa përballen me zgjedhjet elektorale, paralajmëroi AJ Alfafara, udhëheqës ekzekutiv i Koalicionit Divorci PILIPINAS.

Javën e kaluar, Presidenti Marcos prezantoi pesë masa prioritare që administrata e tij dëshiron të miratohen në Kongres përpara skadimit të mandatit të tij. Legalizimi i divorcit nuk ishte asnjëri prej tyre.