Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Vritet gruaja trans që u dëbua nga Turqia për në Siri

QIKA 5.8.2024

Një grua trans që u dëbua (deportua) nga Turqia është vrarë të shtunën prej Ushtrisë së Lirë Siriane (Free Syrian Army), ka bërë të ditur grupi i Solidaritetit LGBTI+ i qytetit lindor turk, Adana. Në shkrimin e shpërndarë nga Kolektivi Mediatik Queer VELEVE është bërë e ditur se M.E u dëbua pasi statusi i saj HIV-pozitiv u zbulua nëpër rrjete sociale, raporton Dylberizm.

“Refugjates siriane, grua trans me inicialet M.E, iu shpalos statusi me HIV në rrjete sociale, e që më pas u bë cak i grupeve urrejtëse HIV-fobike e raciste dhe për pasojë u dëbua (u deportua nga Turqia për në Siri)”, shkruhet në raportimin e VELEVE.

Grupi i Solidaritetit LGBTI+ i Adanas ka lëshuar një deklaratë ku thuhet se “Turqisë duhet t’i hiqet menjëherë statusi si vend i sigurtë për azil kërkuesit dhe refugjatët LGBTIQ+”.

Paralajmërime ka pasur vazhdimisht për rrezikun që i kanoset grave, fëmijëve dhe personave LGBTI+ nëse dëbohen për në Siri.

Të paktën që nga 2019-a është treguar se si refugjatët sirianë dylbera po i tradhton sistemi turk e edhe se Komisioneri i Lartë Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) po hesht për dëbimin e dylberave që ligjërisht gëzojnë mbrojtje ndërkombëtare.

Studiuesit kanë alarmuar për sulmet fizike me të cilat janë përballur si dylberat vendas, ashtu edhe refugjatët në Turqi. Për dëbimin për në Siri, studiuesja Deina Abdelkader, pati thënë se paraqet rrezik për jetë.

“Për sirianët LGBTQ, kthimi në shtëpi mund të jetë dënim me vdekje”, ka shkruar ajo në artikullin e botuar në The Conversation.