Sot, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka realizuar një aksion simbolik pranë stacionit të Policisë në Prishtinë dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, në ndërtesat e të cilëve ka shkruar “Po i vrisni gratë”.
Aktivistet/ët gjatë këtij aksioni shprehën revoltën me dhunën e vazhdueshme me bazë gjinore, dhe vetëm gjatë kësaj jave një tentim vrasje nga partneri dhe një vdekje si pasojë e rrahjes brutale nga bashkëshorti.
Deklarata e plotë e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist:
“Sot ishim te stacioni policor në Prishtinë dhe Këshilli Prokurorial për ta shprehë revoltën tonë me neglizhimin e jetëve të grave dhe normalizimin e dhunës së gjinizuar nga institucionet e shoqnia. Veç brenda një jave, nji burrë e vrau gruan në Gracanicë dhe nji tjetër tentoi ta vriste gruan në Fushë Kosovë. Ky i fundit edhe ishte arrestuar pak ditë më parë për dhunë në familje, për t’u liruar pas 48 orëve në procedurë të rregulltë. E përgjatë gjithë kësaj kohe jemi njoftuar për raste të shumta përdhunimesh e dhunë në familje. E ajo se çka pamë nga institucionet ishte loja e vazhdueshme për ta hedhë fajin te njëra-tjetra. E gjithë kjo teksa qeveria vazhdon të amnistojë të akuzuar për dhunë në familje teksa zotohet ta luftojë dhunën.
Teksa i bëjmë bashkëfajtore institucionet e Kosovës për vrasjen e grave, ne e përsërisim që për vajzat dhe gratë në Kosovë çdo ditë është luftë. Luftë për ta mbrojtur vetën nga dhuna e gjinizuar e abuzimi seksual. Luftë për t’iu ikur plumbave e sopatave. E në këtë luftë, shteti vazhdon t’ua mbajë anën dhunuesve e vrasësve, duke i amnistuar e duke e mirëmbajtur patriarkalizmin. Ne e kthejmë gishtin kah policia, prokuroria e gjykata të cilat në vazhdimësi po tregojnë që ky zinxhir është patriarkal, i dhunshëm dhe armik i grave.
Në gjithë këtë situatë ku dhuna është përditshmëria e shumë prej nesh dhe frika e të gjitha neve, ne bëjmë thirrje për veprim. Kërkojmë nga institucionet e shoqëria që t’iu dalë krah grave në luftën për çlirim kudo që ajo zhvillohet. Kërkojmë mobilizim, organizim dhe solidaritet me kauzën feministe për çlirim nga çdo lloj dhune kudo dhe kurdo. Për të gjitha vajzat dhe gratë në Kosovë.”