Amnesty International ka publikuar raportin “Abortion in the USA: The Human Rights Crisis in the Aftermath of Dobbs”, sipas së cilit duke mohuar dhe kufizuar qasjen në abort për miliona njerëz që nga përmbysja e Roe vs. Wade në 2022, Shtetet e Bashkuara nuk po përmbushin detyrimet dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Raporti paraqet historitë e individëve në të gjithë vendin, të cilët janë dëmtuar nga ligjet dhe praktikat kufizuese në shtetet e tyre, duke bërë më të prekshme mënyrat se si njerëzit njerëzit dëmtohen kur u mohohet e drejta për qasje në abort.
Përveç ndalimeve dhe kufizimeve të abortit në 21 shtete, pengesat për kujdesin mjekësor urgjent dhe përpjekjet për të kriminalizuar abortet, që kërcënojnë njësoj shtatzënat dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor, kanë çuar në krizën aktuale të të drejtave të njeriut, e cila po ndihmohet edhe nga përhapja e informacioneve të rreme dhe stigmatizimi i abortit.
“Këto kufizime dhe ndalime ndaj abortit krijojnë një skenar ku qasja e një individi në kujdesin e abortit varet nga vendi ku jeton dhe çfarë burimesh ka. Qasja në kujdesin riprodhues, duke përfshirë abortet, nuk duhet të varet nga gjendja në të cilën jeton dikush, ose nga aftësia që një individ ka ose nuk ka për të udhëtuar në një shtet tjetër. Peizazhi aktual pamundëson që disa njerëz të kenë qasje në kujdesin për abortin, e kjo nuk është mënyra se si supozohet se funksionojnë të drejtat e njeriut”, tha Jasmeet Sidhu, hulumtues i lartë në Amnesty International SHBA.
Raporti nxjerr në pah dëmin dhe diskriminimin e përhapur që njerëzit po përjetojnë në të gjithë SHBA-në duke përfshirë intervista të thelluara me shtatzëna, familje, avokatë, ekspertë të shëndetit publik dhe punonjësit e shëndetësisë në shtetet me ndalim të abortit. Këtu përfshihen njerëz që udhëtuan qindra milje për të kryer abortin dhe të tjerë që nuk mund të përballonin udhëtimin, kështu që u detyruan ta çonin shtatzëninë deri në fund kundër dëshirës së tyre. Raste të tjera përfshijnë njerëz që u detyruan të përfundonin shtatzëninë e tyre pavarësisht se ishin përdhunuar nën moshë, anomalive serioze të fetusit dhe rreziqeve shëndetësore për personin shtatzënë.
Raporti në fund ofron një listë rekomandimesh për qeveritë shtetërore dhe federale, duke përfshirë mbrojtjen federale të së drejtës për abort dhe hapa për të siguruar qasje të barabartë në abortin me ilaçe dhe shërbimet e kujdesit shëndetësor emergjent, dhe i kërkon SHBA-së të ratifikojë traktatet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut që do tu siguronin individëve shtatzënë qasje në kujdesin për të cilin kanë nevojë.
“Të gjithë, kudo, duhet të jenë të lirë të ushtrojnë autonominë e tyre trupore dhe të marrin vendimet e tyre për shëndetin e tyre riprodhues,” tha Sidhu.
Raportin e plotë e gjeni në: https://www.amnestyusa.org/reports/abortion-in-the-usa-the-human-rights-crisis-in-the-aftermath-of-dobbs/