Në Lojërat Olimpike Paris 2024, B-Girl Manizha Talash nga Ekipi Olimpik i Refugjatëve u skualifikua pasi shfaqi një mesazh politik. Talash kishte veshur një pelerinë ngjyrë të kaltër të çelur me shkronja të bardha të mëdha që shkruanin “Free Afghan Women” (Liri Grave Afgane) teksa performonte në parakualifikime të premten.
21-vjeçarja, e cila u largua nga Afganistani pasi talibanët filluan të merrnin kontrollin e plotë në vitin 2021, tani jeton në Spanjë dhe përfaqëson Ekipin e Refugjatëve në lojëra me emrin B-Girl Talash.
“Unë nuk u largova nga Afganistani sepse kam frikë nga talibanët ose sepse nuk mund të jetoj në Afganistan,” tha Talash përpara se të fillonte aksionin. “U largova sepse dua të bëj atë që mundem për vajzat në Afganistan, për jetën time, për të ardhmen time, për të gjithë.”
Nën sundimin e talibanëve, Afganistani u bë vendi më shtypës në botë për të drejtat e grave, sipas Kombeve të Bashkuara. Grupi islamik ekstremist ka mbyllur shkollat e mesme për vajzat, ka ndaluar gratë që të ndjekin universitetin, ka kufizuar udhëtimin e tyre pa një shoqërues burrë dhe i ka ndaluar ato nga hapësirat publike si parqet dhe palestrat, shkruan CNN.
Mesazhi i Talashit synonte të vinte në pah gjendjen e vështirë të grave nën sundimin taliban në Afganistan. Megjithatë, protesta e saj çoi në polemika kur Federata Botërore e Sportit të Vallëzimit e skualifikoi atë për shkeljen e rregulloreve olimpike që ndalojnë deklaratat politike gjatë garave.
“Skualifikimi ishte për shkak të shfaqjes së një slogani politik në veshjen e saj”, deklaroi Federata Botërore e Sportit të Vallëzimit.
Ngjashëm edhe vrapuesja olimpike afgane, Kimia Yousofi, u dërgoi një mesazh talibanëve në pushtet. “Arsim. Sport. Të drejtat tona”, shkruhej në anën e pasme të gjoksores së garës të Yousofit, të cilën teksa ajo e shfaqi pas garës, trajneri i saj tha se ajo nuk po vraponte për medalje por për gratë dhe vajzat e shtypura të vendit të saj.