Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Hollivudi nuk është progresiv, gratë dhe grupet tjera mbeten të nënpërfaqësuar

QIKA 14.8.2024

Vetëm 32% e personazheve që flasin janë gra dhe vajza në 100 filmat më të mirë për vitin 2023, sipas raportit vjetor të Iniciativës për Gjithëpërfshirje të University of Southern California’s Annenberg.

Raporti i cili shqyrtoi 75,328 role folëse gjeti mosbalancim të thellë gjinor në shumicën e filmave. Vetëm 30% e roleve kryesore në filmat më të mirë ishin gra dhe vajza, afërsisht aq sa ishin në vitin 2010.

Kinemaja në 2023 u duk si një vit fitimtar për gratë me filmin Barbie që ka thyer rekorde, duke u bërë filmi me fitimet më të larta të vitit dhe debutimi më i madh ndonjëherë për një film me regji të një gruaje. “Pavarësisht se si i shqyrtoni të dhënat, viti 2023 nuk ishte viti i grave. Ne vazhdojmë të raportojmë të njëjtat tendenca për vajzat dhe gratë në ekran, vit pas viti”, tha Smith.

Edhe pas revolucionit të transmetimit, pandemisë e grevave të punëtoreve, ende në Hollivud keni dy herë më shumë gjasa që të shihni personazhe burra që flasin se sa gra, shkruan Euronews.

Në vetëm 11% të filmave u gjet balancim gjinor, me 45-54.9% të grave në role folëse.

Ngjashëm edhe gjetjet për prapaskenën janë zhgënjyese. Në vitin 2023, 12% e drejtorëve ishin gra dhe midis vitit 2007 dhe 2023 gjithsej 98 gra kanë realizuar filma, krahasuar me 878 burra. Sa i përket 100 filmave me fitimet më të larta, vetëm 12.2% kishin regjisore gra, ndërsa 87.9% regjisorë burra dhe 84.8% ishin shkruar nga burrat krahasuar me 15.2% që kishin skenariste gra.

Sa i përket përfshirjes racore, 21.6% e drejtorëve ishin nga grupet e nënpërfaqësuara racore dhe etnike, ndërsa 78.4% ishin të bardhë. Ndërsa pati vetëm pesë filma nga 100 me një kryesues ose bashkëkryesues nga komuniteti LGBTIQ+, dhe vetëm 4 personazhe folëse ishin jobinarë.

Vetëm 2.2% e filmave përfshinin një personazh që flet me aftësi të kufizuara.