Një zëdhënës i OKB-së ka thënë se Kombet e Bashkuara do të vazhdojnë të angazhojnë të gjitha palët e interesuara në Afganistan, përfshirë këtu edhe talibanët, edhe pse këta të fundit kanë shkëputur lidhjet me OKB-në pas kritikës së tyre për kufizimet e lirisë së grave.
Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, në Nju Jork mbrojti Misionin e Asistencës së Kombeve të Bashkuara në Afganistan (UNAMA) dhe deklaratën e kryesueses së misionit, Roza Otunbayeva, e cila tha se ligjet e reja ofrojnë një “vizion shqetësues” për të ardhmen e Afganistanit.
Ajo tha javën e kaluar se ligjet zgjerojnë “kufizimet tashmë të patolerueshme” për të drejtat e grave dhe vajzave, me “madje edhe tingullin e një zëri femëror” jashtë shtëpisë që duket si shkelje morale.
Ligjet u nxorën pasi lideri suprem Hibatullah Akhundzada i miratoi ato. Talibanët kishin krijuar një ministri për “përhapjen e virtytit dhe parandalimin e veseve” pas marrjes së pushtetit në vitin 2021. Ata thonë se ligjet bazohen në interpretimin e ligjit të Sheriatit.
Ministria u bëri thirrje organizatave ndërkombëtare, vendeve dhe individëve që të respektojnë vlerat fetare të myslimanëve. Ajo njoftoi të premten se nuk do të bashkëpunojë më me UNAMA-n për shkak të kritikave të saj ndaj ligjeve.