Qeveria e Polonisë ka shpallur udhëzime të reja që synojnë lehtësimin e qasjes së sigurt në abort, duke riafirmuar kështu ligjshmërinë e procedurës së abortit. Udhëzimet e publikuara të premten nga Ministria e Shëndetësisë thonë se rekomandimi i një mjeku specialist, përfshirë kardiologun, endokrinologun ose psikiatrin, është bazë e mjaftueshme që një grua të ketë qasje në abort të ligjshëm e të sigurt në spital dhe mjeku që kryen procedurën nuk do të mund të ndiqet penalisht.
Sipas ligjit aktual, abortet për arsye shëndetësore lejohen, por qeveria e mëparshme konservatore pati kufizuar rrethanat kualifikuese, duke e bërë abortin të qasshëm vetëm në rastin e një shtatzënie që ishte rezultat i përdhunimit apo incestit, ose në një situatë të rrezikshmërisë ekstreme për shëndetin e një gruaje shtatzënë.
Këto kufizime patën shkaktuar me protesta masive në rrugë, por edhe kishin rritur hezitimin e mjekëve/eve për t’u ekspozuar ndaj ndjekjeve penale të mundshme, meqë sipas ligjit mjekët ose personat që ndihmojnë për të kryer një abort mund të dënoheshin me burgim deri në tre vjet. Këto kufizime rezultuan me një numër të konsiderueshëm i grave që vdiqën në të gjithë vendin meqë mjekët refuzuan të kryenin një abort nga frika se mos dënoheshin me burgim.
Qeveria aktuale e kryeministrit Donald Tusk premtoi të liberalizonte ligjin për të lejuar abortin deri në javën e 12-të të shtatzënisë, por ky propozim nuk arriti të sigurojë mbështetjen e nevojshme në parlament. “Ne po kërkojmë mënyra për të vepruar në përputhje me ligjin, për të lejuar qasjen në abortin ligjor për gratë të cilat vendosin qe për arsye të ndryshme t’i nënshtrohen kësaj procedure. Ato duhet të kenë këtë drejtë”, tha Tusk.
Ministrja e Shëndetësisë Izabela Leszczyna tha se aktualisht shumica e mjekëve dhe spitaleve nuk respektojnë rregulloret që lejojnë abortin e hershëm bazuar në mendimin e një mjeku dhe shpesh koha mbaron teksa ata kërkojnë mendime të mëtejshme. “Një grua shtatzënë që i drejtohet një subjekti mjekësor që ka kontratë me Fondin Kombëtar të Shëndetësisë me një referim mjekësor se shtatzënia është një kërcënim për shëndetin e saj, duhet të marrë shërbimin mjekësor të abortit në këtë subjekt”, tha ajo.
Spitalet që refuzojnë të kryejnë një abort ndaj një gruaje me referim mjekësor, mund të gjobiten deri në 500,000 zloty (rreth 115,000 €) ose të humbasin kontratën e tyre me Fondin Kombëtar të Shëndetit, shkruan Euronews.