Lendita Berisha është një nga dy kandidatet gra që aplikuan për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil. Ani se hynë në listë të ngushtë, asnjëra prej tyre nuk u përzgjodh meqë Autoriteti i Aviacionit Civil dhe Autoriteti i Komisioni Shtetëror për Pranim përzgjodhi tre kandidatë burra, që, sipas projektit britanik “Corrwatch”, nuk i plotësuan kriteret.
Berisha e cila është drejtore e Departamentit të Sigurisë dhe Cilësisë në AAC, ndonëse shprehet e dekurajuar me procesin, thekson se nuk do të dorëzohet. Ajo thotë se ka paraqitur ankesë në Komisionin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil, raporton Koha.
“Konsideroj se procesi i rekrutimit është zhvilluar me pikënisjen që ka shkaktuar padrejtësi dhe diskriminim profesional mbi të gjitha, para se të përmendim diskriminimin gjinor që ka mundur të jetë shkaktuar. Dy gra, drejtoresha departamentesh në AAC, me kualifikime post-diplomatike në fushën e aviacionit dhe me përvojë mbi 20-vjeçare kanë qenë pjesë e kësaj kandidature deri në përfundim të procesit, natyrisht, duke mos iu dhënë mundësia për të qenë opsion në listën finale”, ka thënë Berisha.
Me diskriminim në ambient pune, ajo thotë se u përball edhe më herët.
“Fenomenin e diskriminimit gjinor nuk e kam të panjohur, pasi që në të kaluarën jo shumë të largët kam qenë pjesë e një grupi të grave, profesioniste në aviacionin civil, që e kanë ngritur dhe luftuar çështjen e diskriminimit gjinor të ushtruar në ambient pune nga një ish-drejtor i AAC-së, i shkarkuar tashmë nga Qeveria”, ka thënë Berisha.
Instituti Gap aktualisht monitoron në mënyrë aktive pesë borde të ndërmarrjeve publike, në nivel qendror dhe lokal.
Bazuar në monitorim, hulumtuesi Besart Zhuja thotë se është evidentuar mungesë e zbatimit të Ligjit për Barazi Gjinore.
“Në shumicën absolute të bordeve ka më shumë burra sesa gra, ose, nëse marrim një shumë të përgjithshme, burrat janë të favorizuar 55 kundrejt 45 për qind në strukturën e bordeve. Megjithatë, kur flasim te aspekti menaxherial, punët qëndrojnë më keq, d.m.th. 70 për qind kundrejt 30 për qind janë pra burrat kundrejt grave në pozita menaxheriale të ndërmarrjeve publike”, ka thënë Zhuja.
Në Rrjetin e Grave të Kosovës, thonë se është shqetësuese numri i ulët i grave në pozita udhëheqëse e menaxheriale.
Adelina Berisha, menaxhere e Programit për Adresimin e Dhunës në Bazë Gjinore, thotë se sa i përket përfaqësimit gjinor, institucionet kanë shënuar regres edhe në legjislacion, duke përmendur si shembull ligjin e ri për Komisionin e Pavarur për Media, i cili ka shuar pozitat që ishin të përcaktuara për gra.
Kurse që nga viti 2016, Ambasada britanike i mbështeti 100 procese të rekrutimit në nivel qendror, agjenci të pavarura e ndërmarrje publike. Shefja e programeve, Sophie Wright, thekson se gjatë përvojës tetëvjeçare është konstatuar që numri i grave aplikuese për pozita të larta është më i ulët se ai i burrave.
Wright ka thënë se viteve të fundit kanë vërejtur tendencën në rënie të personave që aplikuan në poste të larta, andaj u ka bërë thirrje institucioneve të ofrojnë garë të barabartë, tërheqëse dhe inkurajues për të gjithë. Njashtu, ajo ka përmendur disa raste kur institucionet janë udhëhequr nga gratë duke thënë se ato kanë përmirësuar performancën e institucionit.