Alb Eng
Për QIKA 1≠1

78.5% e qytetarëve të Kosovës mendojnë se aborti duhet të jetë i ndaluar me ligj në çdo rrethanë

5.8.2021

Jemi jashtëzakonisht shumë të shqetësuara me te dhënat që ka pasqyruar anketa e realizuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), ku theksohet se 78.5% e qytetarëve të Kosovës kanë deklaruar se besojnë që aborti duhet të jetë i ndaluar me ligj në çdo rrethanë.

Ky qëndrim i qytetarëve është tejet problematik për shkak se cenon drejtpërdrejtë autonominë e grave dhe të drejtën e tyre për të vendosur për vete. Kujtojmë se qasja në shërbime të sigurta shëndetësore, duke përshirë edhe abortin, është e drejtë e grave e garantuar nga Komiteti për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara poashtu e rregulluar me ligj të veçantë edhe në Kosovë.

Gjykimi i abortit si akt i pamoralshëm e vë në rrezik shëndetin e grave duke i detyruar ato të ndjekin rrugë të pasigurta për të abortuar. Për këtë kemi dëshmi hulumtimet që tregojnë se për shkak të presionit shoqëror dhe paragjykimeve, vajzat dhe gratë në Kosovë realizojnë aborte në klinika të palicencuara dhe me metoda tradicionale e primitive, duke rrezikuar kështu jetën e tyre. Ky lloj diskursi i objektifikon gratë vetëm brenda rolit riprodhues duke i zhveshur kështu ato në mënyrë brutale nga të drejtat njerëzore.

Në vend të kësaj, ne insistojmë se në Kosovë kemi nevojë për një debat të hapur mbi seksin, mjetet mbrojtëse, dhunën seksuale, shtatzënitë e padëshiruara dhe abortin si e drejtë e grave.

QIKA beson se aborti duhet të jetë i qasshëm dhe i sigurt për të gjitha gratë, pa paragjykime e ndalesa. As shoqëria dhe as shteti nuk guxon të prekë mbi të drejtën e gruas për trupin e saj dhe rolin e saj në shoqëri.