Alb Eng
Për QIKA 1≠1

Çka duhet të dini rreth kancerit të qafës së mitrës?

27.1.2022

ÇFARË ËSHTË KANCERI I QAFËS SË MITRËS

Kanceri i qafës së mitrës është një lloj kanceri i cili zhvillohet në qafën e mitrës së një gruaje. Ky kancer është një sëmundje tërësisht e parandalueshme e megjithatë, ai mbetet një prej shkaktarëve të vdekjes së grave në mbarë botën.

PSE SHKAKTOHET KANCERI I QAFËS SË MITRËS?

Kanceri i qafës së mitrës shkaktohet nga infeksioni i vazhdueshëm ose kronik me një ose më shumë lloje të virusit të papilomës humane (HPV), një infeksion i zakonshëm i traktit riprodhues që transmetohet seksualisht. Ka shumë lloje të HPV-së, por jo të gjitha shkaktojnë probleme. Kryesisht llojet 16 dhe 18 të HPV-së, njihen si lloje me rrezik të lartë për kancerin e qafës së mitrës te gratë.

ÇFARË SHENJASH KA KANCERI I QAFËS SË MITRËS?

Shumica e infeksioneve nga HPV nuk kanë shenja dhe kalojnë në mënyrë spontane. Kur shfaqen shenjat mund të përfshijnë: gjakderdhje jo të rregullt midis cikleve menstruale, gjakderdhje jonormale vaginale pas marrëdhënieve seksuale, dhimbje mesi apo në fund të barkut, lodhje, humbje peshe dhe oreksi, parehati vaginale ose sekrecione vaginale jonormale, dhimbje gjatë kontaktit seksual, etj. Në faza të avancuara shfaqen edhe simptoma të tjera më të rënda.

SI PARANDALOHET KANCERI I QAFËS SË MITRËS?

Kanceri i qafës së mitrës shpesh mund të parandalohet duke bërë kontrolle të rregullta gjinekologjike përfshirë Pap-testin dhe testet e HPV-së. Po ashtu ky kancer mund të parandalohet edhe duke marrë vaksinën kundër HPV-së. Nëse kanceri i qafës së mitrës zbulohet herët, është më i lehtë për t’u trajtuar, mbijetesa rritet dhe cilësia e jetës së gruas është më e mirë.