Alb Eng
Për QIKA 1≠1

Gjykatat duhet të dalin nga praktikat që relativizojnë vrasjen e grave

QIKA 15.5.2026

QIKA shpreh shqetësim të thellë lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren për dënimin me 15 vjet burgim në rastin e vrasjes mizore të një gruaje 30-vjeçare.

Në këtë rast, gjykata ka konsideruar si rrethana lehtësuese sjelljen korrekte të të akuzuarit pas kryerjes së veprës penale, moshën e tij, si dhe gjendjen e tij ekonomike.

Veçanërisht shqetësues është fakti që trupi gjykues ka konsideruar si rrethanë lehtësuese “sjelljen korrekte pas kryerjes së veprës penale”, përkundër faktit se i pandehuri kishte qëndruar në arrati për 11 vite, nga viti 2013, dhe arrestimi i tij ishte bërë vetëm përmes bashkëpunimit ndërkombëtar. Ikja afatgjatë nga drejtësia nuk mund të interpretohet si sjellje korrekte dhe as si tregues bashkëpunimi apo përgjegjësie ndaj veprës së kryer.

Po ashtu, konsiderimi i gjendjes ekonomike si rrethanë lehtësuese në një rast të tillë rrezikon të krijojë mirëkuptim për kryerësin.

Kjo qasje dëmton besimin në drejtësi dhe kontribuon në normalizimin e dhunës, duke krijuar përshtypjen se jeta e grave mund të relativizohet përballë rrethanave të burrave që ushtrojnë dhunë ndaj tyre.

Në rastet kur gratë vriten në rrethana të dhunshme, me elemente të mizorisë dhe dominimit, shteti nuk guxon t’i shmanget përgjegjësisë për të marrë vendime të drejta dhe proporcionale me seriozitetin e krimit. Përveç përgjegjësisë për të sjellë drejtësi për viktimën, institucionet kanë edhe detyrim të dërgojnë mesazh të qartë te shoqëria se dhuna ndaj grave nuk mund të relativizohet. 

Andaj QIKA fton gjykatat të dalin nga praktikat që normalizojnë vrasjen e grave dhe të trajtojnë rastet e femicidit me seriozitetin e nevojshëm.