Alb Eng
Për QIKA 1≠1

Kryetari Azizi refuzon të deklarohet për padinë ndaj aktivistëve

4.2.2022

Sot, Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA mori pjesë në konferencën për media të organizuar nga Gjykata Themelore në Gjilan, ku kjo e fundit publikoi raportin vjetor të punës.

Ditë më parë, Gjykata Themelore në Gjilan publikoi një njoftim në web faqen zyrtare të gjykatës lidhur me padinë civile për shpifje të ushtruar nga vetë kryetari i gjykatës, z. Ramiz Azizi dhe kolegu i tij gjykatësi Naser Maliqi, ndaj organizatës QIKA dhe IKD-së. Ndonëse padia u bë në emër personal të dy gjyqtarëve, për çudi Gjykata Themelore në Gjilan publikoi njoftimin në faqen zyrtare për padinë civile të gjykatësve ndaj organizatave.

Në konferencë, përfaqësues nga QIKA dhe nga IKD e pyetën kryetarin e gjykatës z. Ramiz Azizi për qëndrimin e Gjykatës Themelore në Gjilan lidhur me këtë padi. Kryetari i gjykatës refuzoi të përgjigjet, ndërkaq pas insistimit të gazetarëve ai deklaroi: “Unë jam kryetar gjykate, unë vendosi për këtë”.

Në pyetjen se pse nuk është publikuar ende aktgjykimi, kryetari Azizi ka deklaruar se rasti ka të bëj me një të mitur. Mirëpo, sipas Aktgjykimit të cilin e posedon Instituti i Kosovës për Drejtësi, viktima i ka pasur 19 vjet në kohën kur është dhunuar seksualisht. Pra nuk ka qenë e mitur.

QIKA ka dorëzuar kërkesë për qasje në dokumente publike ku ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Gjilanit qasje në këtë aktgjykim, por ende nuk kemi pranuar ndonjë përgjigje lidhur me këtë. Ne konsiderojmë që ky aktgjykim duhet të jetë publik, për shkak se është çështje me interes publik. Ne kërkojmë që gjykata t’i mbulojë të gjitha informatat e ndjeshme në aktgjykim, posaçërisht informatat që do ta identifikonin ose që do ta bënin të identifikueshme viktimën. Kemi të bëjmë me një vendim seksist dhe dehumanizues ndaj viktimës që është marrë në emër të popullit, andaj kërkojmë përgjegjësi institucionale për këtë rast.

Rikujtojmë se z. Ramiz Azizi, z. Naser Maliqi dhe z. Aziz Shaqiri kanë qenë anëtarë të trupit gjykues që kanë nxjerrë vendimin që liroi pesë burra nga akuza për dhunim në grup të një vajze 19 vjeçare. Ky trup gjykues nxori një aktgjykim dehumanizues dhe seksist ndaj viktimës, me anë të së cilit fajin për dhunimin ia vë viktimës dhe i arsyeton dhunuesit. Gjykata Supreme ka parashtruar kërkesë për inicim të procedurës disiplinore ndaj tre gjykatësve të trupit gjykues dhe KGjK ka themeluar komisionin disiplinor ndaj tyre.