Alb Eng
Për QIKA 1≠1

Kushtetuesja kthen rastin e Suzanës në rigjykim. Ky vendim hap rrugë për gjykim të drejtë ndaj saj

3.8.2023

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që rasti i Suzana Zogëjani Sekiraqës, e cila është dënuar me 25 vjet burgim për vrasjen e burrit të saj, të kthehet në rigjykim. QIKA konsideron se ky vendim është i drejtë dhe mirë i argumentuar kundër vendimeve të gjykatave paraprake, të cilat nuk njohën asnjë rrethanë lehtësuese për Suzanën si viktimë e dhunës në familje, nuk ia aprovuan asaj kërkesën për ekzaminimin psikiatrik, përdorën gjuhë seksiste në aktgykime dhe disa shkelje të tjera.

Vendimi i Kushtetueses konstatoi që aktgjykimi i Gjykatës Supreme, në ndërlidhje me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit dhe aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur më këtë çështje, nuk janë në përputhshmëri me të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të drejtën për një proces të rregullt të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

QIKA ka përcjellur këtë rast që nga momenti kur është bërë publik dhe në vazhdimësi ka kërkuar drejtësi për Suzanën. Edhe sot, ne vlerësojmë se procesi gjyqësor ndaj Suzana Zogëjani – Sekiraqës është zhvilluar mbi paragjykime për fajësinë e plotë të saj duke ia shkelur të drejtën në gjykim të drejtë dhe të paanshëm. Ky rast është edhe një dëshmi se si sistemi i drejtësisë është shpesh i padrejtë dhe diskriminues për gratë. Andaj, i jemi gëzuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese i cili hap rrugë për gjykim të drejtë të Suzanës.

Këtu gjeni vendimin e Gjykatës Kushtetuese: https://gjk-ks.org/njoftim-per-vendim-ne-rastin-ki-161-21/