Alb Eng
Për QIKA 1≠1

QIKA feston ditëlindjen e parë

19.8.2021

Themelimi i QIKA-s konsiston pikërisht me kohën e shpërthimit të pandemisë. Kur të gjithë u mbyllëm brenda shtëpive, grave iu shtuan obligimet në punët e shtëpisë, e iu bë edhe më e vështirë jetesa. Dhuna ndaj grave u shumëfishua e femicidi u rritë dukshëm. Mbyllja shpërfaqi dhunën patriarkale dhe rriti pabarazinë ekonomike. Në këtë periudhë vlimi global, QIKA pa një shkëndijë që konkretizon luftën për barazi e drejtësi në një kontekst social vendor, e ku kundërthëniet dalin në pah vetëm kur përplaset tavolina në sheshin e qytetit.

Qendra për Informim Kritike dhe Aksion u formua nën domosdoshmërinë e rrethanave dhe vullnetit të aktivisteve për ndërhyrje në rendin shoqëror. Përbërja e lajmeve dhe jeta e përditshme nuk guxojnë më të gëlltiten nga versionet dominante të suksesit e arritjeve. Shkrimi i përvojave dhe përpjekjeve ju takon grave të cilat nuk janë kurrë titulli qendror i lajmit. Kritika e tyre duhet të jetë ballina e lajmeve që lexojmë çdo ditë.

Përmes aksionit në rrugë, diskutimeve në zyre, leximeve të përbashkëta, e prodhimit të mijëra lajmeve, përkthimeve, reagimeve e teksteve kritike, QIKA ndihmoi në mënyrë aktive në ndërtimin e një komuniteti të angazhuar të aktivistëve që ndryshuan në mënyrë domethënëse peizazhin. Solidaritetin me njëri tjetrin e kemi të mbështetur mirë në qëndrime e bindje për botën që ëndërrojmë e për të cilën punojmë.

Ndonëse themelimi nuk është data më e rëndësishme, sot shënojmë vazhdimësinë.