Sot, nën sloganin “Shteti fillon me familjen”, Qeveria e Kosovës zgjodhi edhe një herë ta romantizojë familjen si institucion neutral, duke e fshehur faktin se familja, në shoqëri patriarkale si e jona, vazhdon të jetë një nga hapësirat kryesore të pabarazisë, kontrollit dhe dhunës ndaj grave.
Kur shteti e vendos familjen në qendër të politikëbërjes, pa e problematizuar strukturën patriarkale të saj, ai në fakt po e rivendos barrën e kujdesit, riprodhimit dhe mbijetesës mbi gratë. Sepse në Kosovë, familja ende mbahet nga puna e papaguar e grave.
Edhe gjatë fjalimit të tij, kryeministri i Kosovës i numëroi politikat qeveritare “për familjen” pothuajse ekskluzivisht përmes rolit të grave si nëna. Qoftë përmes promovimit të shtesave për lehona, shtesave për fëmijë apo duke e paraqitur hapjen e llogarive bankare nga gratë si sukses të ndërhyrjes qeveritare, gratë u trajtuan sërish jo si subjekte autonome politike e ekonomike, por si funksione riprodhuese të familjes.
Ne refuzojmë këtë logjikë konservatore që redukton gratë në rolin e nënës dhe kujdestares, ndërsa emancipimin ekonomik të tyre paraqitet si ndihmë të shtetit.
“Shteti fillon me familjen” në praktikë është zhvendosje e gjuhës së shtetit përmes së cilës kjo qeveri, duke e vendosur familjen si kategori qendrore politike e madje edhe si element ministror, ia delegon kujdesin familjes dhe shtëpisë. E kjo nënkupton bartjen e punës dhe përgjegjësisë mbi gratë – pa pagesë, pa pension, pa njohje dhe pa mbrojtje.
Gratë në Kosovë nuk kanë nevojë për idealizim të familjes patriarkale. Ato kanë nevojë për politika sociale që i çlirojnë nga varësia ekonomike, nga barra e punës së papaguar dhe nga dhuna.