Alb Eng
Për QIKA 1≠1

Sebahates iu mohua e drejta për jetë

24.3.2023

Me 22 Mars 2023, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vërtetoi se Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit ia kanë shkelë Sebahate Morinës të drejtën në jetë.

Ende nuk ka asnjë dorëheqje a shkarkim të personave përgjegjës. Policia dhe Prokuroria, shkelësit e të drejtës në jetë të një gruaje, po heshtin dhe po vazhdojnë të shtiren sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Gjykata Kushtetuese me anë të këtij vendimi konstatoi se Policia e Kosovës në Graçanicë dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, kanë dështuar në përmbushjen e detyrimeve të tyre pozitive për mbrojtje të jetës së Sebahates. Në këtë mënyrë, gjykata lë përgjegjës institucionet shtetërore, që nuk e kanë trajtuar rastin me seriozitet duke bërë kështu që ngjarja të përfundojë tragjikisht.

Disa ditë pas vrasjes së Sebahates, Instituti i Kosovës për Drejtësi së bashku me Rjetin e Grave të Kosovës kishin publikuar një raport hulumtues ku kishin gjetur shkeljet që kanë shoqëruar trajtimin e këtij rasti në institucionet përgjegjese. Pavarësisht kësaj, këto të fundit nuk kanë ndërmarrë kurrfarë masa për ta adresuar përgjegjësinë institucionale në këtë drejtim. Mungesa e përgjegjësisë po vazhdon edhe pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në komunikatën për media të lëshuar pas rastit tragjik, Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte mohuar shkeljet eventuale në këtë rast, nën arsyetimin se Sebahatja nuk kishte dashur ta vazhdoj rastin më tutje dhe nuk ishte paraqitur herën e dytë në polici si dhe se ish-bashkëshkorti i saj e kishte mohuar dhunën e ushtruar ndaj saj.

Përkitazi me vendimin e drejtë të Gjykatës Kushtetuese, QIKA kërkon dorëheqjen apo shkarkimin e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës Kujtim Munishi, prokurorit të rastit si dhe zyrtarëve policorë të përfshirë në rast. Sebahate Morina u vra sepse shteti dështoi ta mbronte. Dorëheqja është më pakta që këta zyrtarë mund ta bëjnë.