Alb Eng
Për QIKA 1≠1

Shteti e vrau Arlindën!

QIKA 26.10.2026

Arlinda Zekaj kërkoi mbrojtje nga shteti. Ajo iu drejtua institucioneve, ndoqi procedurat ligjore, siguroi urdhër mbrojtjeje dhe paralajmëroi qartë për rrezikun që i kanosej. Institucionet ishin të njoftuara. Rreziku ishte i dokumentuar. Megjithatë, pak minuta më vonë, Arlindën e vranë.

Shteti u kërkon grave të denoncojnë dhunën, të dokumentojnë kërcënimet, të kërkojnë urdhra mbrojtjeje dhe t’u besojnë institucioneve. Por çfarë vlere kanë këto procedura kur një grua mund t’i ndjekë të gjitha dhe prapë ta vrasin?

Vrasja e Arlindës është pasojë e një shteti që i braktis gratë përballë dhunës, edhe kur ato kërkojnë ndihmë dhe paralajmërojnë për rrezikun që u kanoset. Të gjitha hallkat institucionale përgjegjëse duhet të hetohen. Askush nuk mund të fshihet pas procedurave dhe kompetencave për t’iu shmangur përgjegjësisë.

Të gjithë ata që, përmes veprimeve apo mosveprimeve të tyre, kontribuuan në dështimin për ta mbrojtur Arlindën, duhet të hetohen dhe të mbajnë përgjegjësi para drejtësisë.

Ngjyra e kuqe qe e hodhëm sot në shkallët e Qeverisë është akuzë. Është kujtesë e jetëve të humbura dhe e përgjegjësisë që shteti duhet të mbajë.

Shteti e vrau Arlindën!

Andaj shteti duhet të japë llogari!