Alb Eng
Për QIKA 1≠1

THIRRJE PËR ANGAZHIM TË EKSPERTËVE/EVE

28.9.2022

Rreth QIKA

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA është organizatë e themeluar në gusht të vitit 2020, që për qëllim ka mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. QIKA ndërhyrjen në diskursin publik e bën përmes hulumtimeve, raportimeve, aksioneve dhe diskutimeve. QIKA misionin e vet e realizon përmes dy programeve kryesore: Gazetaria Feministe, ku përmes platformës online www.qika.org publikojmë lajme, hulumtime e tekste feministe, që kanë të bëjnë me zhvillimet mbi barazinë gjinore në Kosovë e botë; si dhe programin Bashkohu me QIKA, ku aktivistëve/e iu ofrohet hapësirë dhe mentorim për të shkruar, përkthyer e për tu angazhuar në organizatën tonë.

Qëllimi i thirrjes

QIKA po kërkon disa ekspertë/e të cilët do të punojnë ngushtë me stafin e QIKA për të udhëhequr procesin e 1) Hartimit të Planit Strategjik të QIKA për vitet 2023 – 2027; 2) Ngritjen e kapaciteteve të stafit për ngritje të fondeve; 3) Ngritjen e kapaciteteve të stafit për zbatim të projekteve. Strategjia e punës për vitet 2023-2027 do të ndihmojë QIKA të artikulojë synimet dhe prioritetet e saj në mënyrë që t’i identifikojmë më qartë qëllimet tona, të arrijmë dhe të matim rezultatet e dëshiruara. Së dyti, nga ngritja e kapaciteteve të stafit për ngritje të fondeve pritet që të sigurohemi se organizata jonë do të ketë qëndrueshmëri afatgjate. Së fundmi, përmes ngritjes se kapaciteteve të stafit për zbatim të projekteve, pritet që stafi të aftësohet mbi të gjitha fazat e projektit si dhe organizata të zhvillojë sistem të brendshëm për monitorim dhe vlerësim të aktiviteteve.

Fushat e hapura për aplikim

Ekspertët/et mund të aplikojnë në një ose më shumë nga fushat e listuara më poshtë:

● Hartimi i Planit Strategjik të QIKA për vitet 2023 – 2027;

● Ngritja e kapaciteteve të stafit për ngritje të fondeve;

● Ngritja e kapaciteteve të stafit për zbatim të projekteve.

Kostoja e parashikuar dhe plani i pagesës

Kostoja e parashikuar e konsulencës: Aplikantët/et duhet të paraqesin një propozim financiar të detajuar që përpunon kostot ditore në bazë të rezultateve të lartpërmendura, duke përfshirë një shumë totale të kërkuar.

Plani i pagesave: QIKA do të lëshojë një kontratë në EURO. Pagesa do të bëhet në dy këste për dërgesat sipas marrëveshjes kontraktuale dhe do të kryhet në EURO. Kandidatëve/eve u kërkohet të specifikojnë tarifat e tyre ditore dhe shumën totale sipas numrit të ditëve të parashikuara të punës.

Aplikimi

Për të shprehur interesimin tuaj, na dërgoni aplikacionin tuaj më së voni deri më 5 tetor 2022 përmes email-it në office@qika.org duke vendosur titullin e pozitës përkatëse në subjekt.

Aplikacioni duhet të përmbajë:

– Një propozim financiar;

– CV të detajuar, me theks në angazhimet tuaja në fushat përkatëse të aplikimit;

– Dëshmi për përvoja të ngjashme.

QIKA do t’i kontaktojë ekspertët/et nga lista e personave aplikues, me qëllim të diskutimit të bashkëpunimit eventual. Shprehja e interesit nuk nënkupton obligimin e QIKA për të angazhuar ndonjë ekspert/e.

Shënim: QIKA përmes rregulloreve të brendshme të burimeve njerëzore siguron që të respektohen të gjitha të drejtat dhe liritë e garantuara të njeriut dhe angazhohet për zbatimin e politikave për mbrojtjen e tyre.

TERMAT E REFERENCËS PËR 3 FUSHAT E APLIKIMIT

1. Ekspert/e për Hartimin e Planit Strategjik të QIKA për vitet 2023 – 2025

1.1 Kualifikimet

– Diplomë universitare në fushat përkatëse ose të ndërlidhura (është e domosdoshme diploma e nivelit bachelor, preferohet diploma e nivelit master ndërsa doktoratura është përparësi);

– Përvojë në hartimin e strategjive për organizata/institute;

– Njohuri të shkëlqyeshme të gjuhës shqipe dhe angleze;

– Aftësi të mira analitike dhe të komunikimit.

1.2 Fusha e Angazhimit

Fusha e angazhimit për ekspertin/en do të përfshijë, por nuk do të kufizohet në:

– Rishikimi i projekteve/programeve të zbatuara nga QIKA;

– Përmes një procesi konsultativ (punëtori me QIKA), të bëhet identifikimi i fushave të fokusit dhe zhvillimi i objektivave strategjikë;

– Hartimi i një strategjie për arritjen e objektivave strategjikë dhe rezultateve kryesore;

– Hartimi i një plani veprimi bazuar në strategjinë e miratuar.

1.3 Për tu dorëzuar

– Një strategji pesëvjeçare (Strategjia QIKA 2023-2027);

– Plani i Veprimit për periudhën 2023-2027;

– Raport mbi procesin duke përfshirë trajnimin me stafin e QIKA.

1.4 Kohëzgjatja e angazhimit

Kohëzgjatja e angazhimit është dhjetë (10) ditë pune e shtrirë në periudhën nga 20 tetor 2022 deri më 15 dhjetor 2022.

2. Ekspert/e për ngritjen e kapaciteteve të stafit për ngritje të fondeve

2.1 Kualifikimet

– Diplomë universitare në fushat përkatëse ose të ndërlidhura (është e domosdoshme diploma e nivelit bachelor, preferohet diploma e nivelit master, ndërsa doktoratura është përparësi);

– Përvojë në ngritjen e fondeve për organizata/institute;

– Njohuri të shkëlqyeshme të gjuhës shqipe dhe angleze;

– Aftësi të mira analitike dhe të komunikimit.

2.2 Fusha e Angazhimit

Fusha e angazhimit për ekspertin/en do të përfshijë, por nuk do të kufizohet në:

– Rishikimi i projekteve/programeve të zbatuara nga QIKA;

– Punëtori me stafin e QIKA me qëllim ngritjen e kapaciteteve për ngritje të fondeve

2.3 Për tu dorëzuar

– Strategji mbi ngritjen e fondeve;

– Raport mbi procesin duke përfshirë trajnimin me stafin e QIKA.

2.4 Kohëzgjatja e angazhimit

Kohëzgjatja e angazhimit është tetë (8) ditë pune e shtrirë në periudhën nga 20 tetor 2022 deri më 15 dhjetor 2022.

3. Ekspert/e për ngritjen e kapaciteteve të stafit për zbatim të projekteve

3.1 Kualifikimet

– Diplomë universitare në fushat përkatëse ose të ndërlidhura (është e domosdoshme diploma e nivelit bachelor, preferohet diploma e nivelit master ndërsa doktoratura është përparësi);

– Përvojë në hartimin dhe zbatimin e projekteve;

– Njohuri të shkëlqyeshme të gjuhës shqipe dhe angleze;

– Aftësi të mira analitike dhe të komunikimit.

3.2 Fusha e Angazhimit

Fusha e angazhimit për ekspertin/en do të përfshijë, por nuk do të kufizohet në:

– Rishikimi i projekteve/programeve të zbatuara nga QIKA;

– Punëtori me stafin e QIKA me qëllim ngritjen e kapaciteteve për të gjitha modulet e projekteve (dizajnimi, zbatimi, monitorimi, vlerësimi dhe raportimi);

3.3 Për tu dorëzuar

– Raport mbi procesin duke përfshirë trajnimin me stafin e QIKA.

3.4 Kohëzgjatja e angazhimit

Kohëzgjatja e angazhimit është katër (4) ditë pune e shtrirë në periudhën nga 20 tetor 2022 deri më 15 dhjetor 2022.

Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.