Alb Eng
Për QIKA 1≠1

Universiteti i Prizrenit duhet ta pezullojë profesorin Shkëlqim Millaku 

QIKA 11.11.2026

QIKA shpreh mbështetjen e plotë për profesoret Vjollca Dibra-Ibrahimi dhe Rezarta Ramadani-Hyseni në kërkesën e tyre për trajtimin institucional të rasteve të denoncuara të kanosjes nga kolegu i tyre, profesori Shkëlqim Millaku, në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren.

Më 23 tetor 2026, Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj profesorit Millaku për veprën penale të kanosjes që ka ndodhur në ambientet e Universitetit, në dy raste të ndara të raportuara nga profesoret Ramadani-Hyseni dhe Dibra-Ibrahimi.

Është shqetësuese që Këshilli i Etikës fillimisht refuzoi ta trajtonte këtë çështje, ndërsa sot, përkundër aktakuzës së ngritur nga Prokuroria, nuk po jep llogari për vendimin e mëparshëm e as nuk po e rihap procedurën sipas detyrës zyrtare. 

Pavarësisht ngritjes së aktakuzës, profesori Millaku vazhdon të punojë në të njëjtin ambient me profesoret, të cilat për QIKA-n kanë deklaruar se nuk ndihen të sigurta në vendin e tyre të punës.

Ndonëse prezumimi i pafajësisë duhet të respektohet, ai nuk mund të përdoret si justifikim për mosveprim institucional. Procedura penale dhe ajo etike janë dy procese të ndara dhe të pavarura: ndërsa gjykata shqyrton përgjegjësinë penale, Universiteti ka përgjegjësi që, në mënyrë të pavarur, të trajtojë pretendimet për shkelje të etikës dhe standardeve profesionale, si dhe të ndërmarrë masat e nevojshme për garantimin e një ambienti të sigurt të punës.

Ky rast nuk mund të shihet i shkëputur nga marrëdhëniet e pushtetit në institucionet akademike. Sa herë që gratë kandidojnë për pozita drejtuese apo ushtrojnë autoritet profesional përballen me kërcënime dhe frikësim. Heshtja dhe injorimi institucional rrezikojnë ta normalizojnë dhunën dhe ta shndërrojnë universitetin në një hapësirë ku gratë detyrohen të zgjedhin ndërmjet sigurisë së tyre dhe ushtrimit të profesionit.

Për këto arsye, QIKA kërkon:

– Nga Këshilli i Etikës, të iniciojë menjëherë shqyrtimin e rastit, duke marrë parasysh aktakuzën, të gjithë dokumentacionin përkatës dhe dëshmitë e dëshmitarëve okularë. 

– Nga Zyrtari/ja për Mbrojtje nga Diskriminimi, të aktivizojë procedurën sipas detyrës zyrtare (ex officio), në përputhje me nenet 11 dhe 31 të Rregullores për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Ngacmimet.

– Nga Këshilli i Etikës, të shqyrtojë shkeljet e Kodit të Etikës për Personelin, veçanërisht nenin 3, nenin 4, nenin 6, paragrafi 1, pikat 3-6 dhe 17, si dhe nenin 11 dhe nenin 12, paragrafët 2-3, që përcaktojnë detyrimet për integritet, dinjitet, respekt reciprok dhe krijimin e një ambienti të sigurt e pa ngacmime.

– Nga Këshilli i Etikës, t’i rekomandojë urgjentisht Senatit pezullimin e përkohshëm nga puna të profesorit Shkëlqim Millaku, në përputhje me nenin 18, paragrafin 9 të Rregullores për Procedurat dhe Masat Disiplinore për Personelin Akademik, dhe të kërkojë që kjo masë të vazhdojë deri në nxjerrjen e aktgjykimit të formës së prerë nga gjykata. 

– Nga organet drejtuese të Universitetit, të ndërmarrin masa konkrete për garantimin e sigurisë së profesoreve, mbrojtjen e tyre nga çdo formë hakmarrjeje dhe parandalimin e përsëritjes së rasteve të tilla.

    Universitetet, si institucione që duhet të prodhojnë emancipim, dije e transformim shoqëror, nuk mund të pretendojnë të jenë hapësira të lirisë dhe barazisë përderisa siguria e grave mbetet e negociueshme. Çmimi i pjesëmarrjes së barabartë të grave në jetën akademike nuk mund të jetë siguria e tyre, dinjiteti apo e drejta për ta ushtruar profesionin në një hapësirë të lirë dhe të sigurt.