Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Aktivistët në Mbretërinë e Bashkuar protestojnë për rregullimin e lejes së atësisë

QIKA 19.9.2024

Aktivistët e fushatës më të re “Dad Shift,” të cilët po lobojnë për zgjerimin e lejes së atësisë, kanë vendosur foshnja kukulla në statujat e burrave në Londër. Përmes këtij aksioni, ata i bëjnë thirrje qeverisë të përmirësojë opsionet për lejen prindërore për baballarët në Mbretërinë e Bashkuar, leje të cilat qëndrojnë më së keqi në Evropë.

Foshnjat kukulla që u vendosën ne trupat e statujave si Isambard Kingdom Brunel, Laurence Olivier, Gene Kelly, Thierry Henry, Tony Adams etj, janë një përpjekje për të përqendruar vëmendjen në rëndësinë e pushimit të atësisë.

Aktualisht, Mbretëria e Bashkuar ofron vetëm dy javë për leje të atësisë, e cila paguhet 184.03£ në javë. Si rrjedhojë e kësaj, një e treta e baballarëve nuk morën fare lejen e atësisë pas lindjes së fëmijës, kurse një në dy familje ku baballarët morën lejen raportuan se kishin pësuar probleme financiare.

Aktivistët planifikojnë t’i dërgojnë një letër të hapur kryeministrit këtë muaj, duke i bërë thirrje atij të ndërmarrë veprime të shpejta për të përmirësuar lejen e atësisë, raporton The Guardian.

“Leja e duhur prindërore është e mirë për nënat, e mirë për foshnjat, e mirë për baballarët dhe gjithashtu e mirë për shoqërinë. Vendet me gjashtë ose më shumë javë pushim të atësisë kanë një hendek pagash gjinore që është 4% më i vogël dhe një hendek i pjesëmarrjes së fuqisë punëtore që është gjithashtu 3.7% më i vogël, që do të thotë se ndryshimi mund të ndihmojë në rritjen e ekonomisë duke ndihmuar familjet britanike”, thuhet në letrën e hapur.

Aktivistët po kërkojnë leje prindërore që është e përballueshme për njerëzit, që jep një lejim të konsiderueshëm të kohës dhe mbështet barazinë midis prindërve.