Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

“Artpolis” organizon aktivitete për të shënuar 8 marsin

QIKA 2.3.2021

Që nga viti 2010, Qendra Artpolis është angazhuar në aspektin përformativ dhe artistik të reagimeve për 8 mars. Kjo qendër këtë vit përveç që mbështet kolektivin Marshojmë S’festojmë, ka organizuar edhe dy aktivitete të tjera.

Me datën 6 mars në Teatrin Oda publiku do të ketë mundësi që të shohë shfaqjen A je çikë, a djalë?… me regji të Arlinda Morinës. Kjo shfaqje është prodhim i “Artpolis” dhe paraqet një reflektim mbi seksualitetin dhe pritjet e ngurta që shoqëria ka krijuar për vajzat dhe djemtë.

Zana Hoxha, drejtore e “Artpolis”, konsideron që është shumë e rëndësishme të luftohen stereotipet gjinore dhe publiku të ekspozohet para ngjarjeve të personazheve me identitete të ndryshme gjinore e seksuale.

Poashtu, si aktivitet tradicional qendra “Artpolis” më 8 mars në Teatrin Kombëtar të Kosovës shfaqë Poezi për fuqi/Çdo ditë është 8 mars, të përgatitur nga trupa e pavarur artistike e “Artpolis”.

“8 marsi për ne gjithmonë ka qenë një mënyrë për të protestuar për pabarazitë dhe në veçanti për të adresuar çështje që lidhen me diskriminimin gjinor, mungesën e përfaqësimit të duhur por edhe të dhunës sistematike ndaj grave dhe vajzave në një shoqëri patriarkale si kjo e jona”, tha Zana Hoxha për QIKA.