Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Avokatja iraniane për të drejtat e grave Nasrin Sotoudeh është burgosur përsëri

QIKA 8.11.2023

Të dielën, derisa po merrte pjesë në funeralin e 16 vjeçares Armita Geravand, avokatja iraniane për të drejtat e grave Nasrin Sotoudeh u arrestua dhe u rrah nga policia “e moralit” në Iran. Agjencia lokale e lajmeve në Teheran raportoi se arsyet për arrestimin e Sotoudeh ishin “mosmbajtja e shamisë dhe shqetësimi i sigurisë mendore të shoqërisë”.

Bashkë me të u arrestuan edhe aktivistë të tjerë iranianë për të drejtat e njeriut dhe protestuesit të cilët ishin mbledhur për të nderuar Geravand, e cila së fundmi u arrestua dhe sulmua nga policia e moralit për mosmbajtje të shamisë, derisa ra në koma pas një incidenti të dyshimtë me metro, dhe vdiq të shtunën, një ditë para arrestimeve.

“Gruaja ime u arrestua gjatë funeralit të Armita Garavand së bashku me të tjerët”, tha Reza Khandan, bashkëshorti i Sotoudeh, për Agence France-Presse, duke thënë se ajo ishte rrahur dhunshëm gjatë arrestimit.

Sotoudeh, 60 vjeç, e cila u shpërblye me çmimin Sakharov të Parlamentit Evropian 2012 për kontributin e saj për të drejtat e njeriut, është arrestuar dhe dënuar disa herë në vitet e fundit, raporton The Guardian.