Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Avokuesit për të drejta të njeriut paralajmërojnë regres të barazisë në BE

QIKA 7.10.2024

Aktiviste/ë, eurodeputete/ë dhe mbi 50 organizata të shoqërisë civile në mbarë Evropën kanë shprehur shqetësimin e tyre teksa kanë akuzuar Presidenten e Komisionit Evropian,  Ursula von der Leyen, për regres lidhur me barazinë pasi ajo ka vendosur që të heq pozicionin e Komisionerit për Barazi në kuadër të BE-së.

Pozicioni i Komisionerit për Barazi në formacionin e ri, që u prezantua në Bruksel disa javë më  parë, është shkrirë në një portofol qe përfshin gatishmërinë dhe menaxhimin e krizave, me të cilin është ngarkuar Hadja Lahbib, aktualisht ministre e Jashtme e Belgjikës. “Kjo është e papranueshme. Barazia meriton komisionerin e vet, jo vetëm një fusnotë në një portofol të mbingarkuar,” tha European Women’s Lobby në rrjetet sociale.

Këtë vendim avokuesit/et e kanë cilësuar si regres të luftës kundër diskriminimit dhe kanë paralajmëruar rritjen e cenueshmërisë për gratë, emigrantët, personat me aftësi të kufizuara dhe pakicave tjera gjatë mandatit të von der Leyen, shkruan Euronews.

The European Disability Forum tha se vendimi vendos një precedent të rrezikshëm për atë çka është arritur deri tash. “Jemi të indinjuar nga ky regres, është një shuplakë për miliona njerëz dhe rrezikon të gjithë përparimin që Komisioni ka bërë deri tani në lidhje me të drejtat tona,” tha Yannis Vardakastanis, president i Forumit.

Për eurodeputeten Melissa Camara (Francë/Të Gjelbërt), “ky është një kthim prapa në krahasim me mandatin e kaluar”.

Në mandatin e kaluar, të udhëhequr po ashtu nga von der Leyen, vendimi për të themeluar një komision të fokusuar vetëm në barazi u përdor si provë se krijimi i një BE më të barabartë ishte prioritet. Komisioni kishte për detyrë të hartonte strategji që varionin nga gjithëpërfshirja gjinore deri te planet kundër racizmit dhe avancimi i të drejtave LGBTIQ+. Kurse emërimet e ekipit të ri anojnë kryesisht kah e djathta pasi që partitë e ekstremit të djathtë u rritën në zgjedhjet e fundit të BE-së.

Në një letër publike të nënshkruar nga 57 organizata të shoqërisë civile shprehet frika se portofoli i kombinuar do të çonte në eklipsimin e çështjeve të barazisë nga menaxhimi i krizave. “Ky konfigurim i ri rrezikon të minojë zbatimin e vazhdueshëm dhe të zellshëm të agjendës për barazi, pasi krizat si pandemitë, luftërat dhe fatkeqësitë ekonomike apo mjedisore ka gjasë të mbizotërojnë kohën dhe fokusin e komisionerit”, thuhet në letër.

“Në kohën kur pabarazitë po rriten në shoqëritë tona në të gjithë popullsinë dhe grupmoshat, BE-ja duhet të rrisë, jo të zvogëlojë, përpjekjet e saj”, tha Maciej Kucharczyk, përfaqësues i Age Platform.