Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

BE miraton ligjin e parë për trajtimin e dhunës ndaj grave

QIKA 17.5.2024

Javën e kaluar, Bashkimi Evropian ka miratuar legjislacionin e tij të parë për të luftuar dhunën ndaj grave. Ligji kërkon që të gjitha vendet e BE-së të kriminalizojnë gjymtimin gjenital të vajzave, martesën e detyruar, dhunën kibernetike dhe shpërndarjen e imazheve intime pa pëlqim.

Ligji i ri përmban masa për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje dhe vendos standarde për ndihmën dhe mbrojtjen që shtetet anëtare duhet t’u ofrojnë viktimave, si dhe lehtëson raportimin e dhunës (përfshirë mundësinë që gratë në shumë shtete për herë të parë të kenë mundësi të raportojnë dhunën kibernetike dhe gjuhën e urrejtjes online).

Ligji përcakton dënime minimale, që variojnë nga një deri në pesë vjet burg, por përmban edhe një listë të rrethanave rënduese, në rast se viktima është fëmijë, partner/e intim, bashkëshort/e ose ish-bashkëshort/e, gazetar/e, aktivist/e për të drejtat e njeriut, atëherë dënimi mund të jetë më i rëndë.

Vendet e BE-së duhet gjithashtu të marrin masa për të siguruar fëmijët që raportojnë një krim të kryer nga dikush me përgjegjësi prindërore duke marrë masa për sigurinë e tyre para se të informojnë autorin e supozuar.

Për të mbrojtur privatësinë e viktimës dhe për të parandaluar viktimizimin e përsëritur, shtetet anëtare duhet të sigurojnë gjithashtu që provat në lidhje me të historinë seksuale të viktimës në duhet të lejohen në procedimet penale vetëm kur është e rëndësishme dhe e nevojshme.

Ndonëse vendet anëtare unanimisht ishin pajtuar mbi domosdoshmërinë e këtij legjislacioni, ata kanë dështuar që në tekstin e direktivës të vendosin një përkufizim të përbashkët mbi përdhunimin.

“Shtetet anëtare kanë tre vjet nga hyrja në fuqi e direktivës për ta inkorporuar atë në legjislacionin kombëtar”, thuhet në njoftimin për media të Këshillit Evropian.

Direktivën e plotë mund ta lexoni në: https://data.consilium.europa.eu/doc/document/PE-33-2024-INIT/en/pdf