Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Bota është 300 vjet larg barazisë së plotë ligjore për gratë

QIKA 28.3.2024

Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres, nën ritmin aktual të zhvillimit botës do t’i duhen edhe 300 vjet për arritjen e barazisë së plotë ligjore për gratë dhe ndalimin e martesave të fëmijëve.

Megjithëse, në mbarë botën po bëhet luftë për barazi gjinore dhe kundër çdo forme të diskriminimit, një reagim global kundër të drejtave të grave po kërcënon dhe në disa raste po e kthen mbrapsht progresin si në vendet në zhvillim ashtu edhe në ato të zhvilluara, shtoi ai në nja ngjarjet e organizuara nga OKB për nder të Ditës Ndërkombëtare të Gruas.

Teksa përmendi raste të shkeljeve të të drejtave të grave si Afganistani, Sudani dhe Gaza, ai theksoi se në botë vërehet një epidemi e vazhdueshme e dhunës me bazë gjinore, duke numëruar nënpërfaqësimin e grave në politikë, hendekun gjinor në paga prej të paktën 20%, dhe mbledhjen vjetore të liderëve botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, me vetëm 12% të folësve gra. “Dhe krizat globale me të cilat përballemi po godasin më së shumti gratë dhe vajzat, nga varfëria e uria te katastrofat klimatike, lufta dhe terrori”, tha Sekretari i Përgjithshëm.

Sima Bahous, udhëheqëse e UN Women, tha se sheh një botë të rrënuar nga konfrontimi, fragmentimi, frika dhe mbi të gjitha pabarazia. “Varfëria ka fytyrë të gruas. 1 në 10 gra në botë jeton në varfëri ekstreme. Burrat jo vetëm që dominojnë sallat e pushtetit, por ata posedojnë 105 trilion dollarë më shumë pasuri se gratë”, tha ajo.

Në fjalët përmbyllëse, Guterres u kërkoi kombeve që të kenë prioritet barazinë për gratë dhe vajzat dhe njoftoi se OKB-ja po fillon hartimin e Planit për Përshpejtimin e Barazisë Gjinore, për të mbështetur qeveritë në hartimin dhe zbatimin e politikave dhe shpenzimeve që u përgjigjen nevojave të grave dhe vajzave, ndërsa Bahous bëri thirrje për armëpushim humanitar në Gaza dhe gjithashtu kërkoi financim për gratë dhe vajzat, duke theksuar se kur të ndodhë kjo, ekonomitë rriten, qeveritë lulëzojnë dhe paqja arrihet më shpejt, raporton US News.