Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Çfarë mund t’i mësojë Etiopia SHBA-së për të drejtat e abortit

QIKA 30.9.2022

Përpara se Etiopia të lehtësonte ligjet e saj për abortin në vitin 2005, abortet e pasigurta kontribuuan në një të tretën e të gjitha vdekjeve të grave në vend. Ligji ishte shumë i rreptë – abortet ishin të ligjshme vetëm nëse jeta e gruas ishte në rrezik – por, si në shumë vende të tjera me kufizime, rreziqet nuk i pengonin gratë të kërkonin t’i jepnin fund shtatzënive të padëshiruara në forma të tjera. Normat e aborteve mbetën të larta. Gratë u detyruan të përdorin teknika të rrezikshme dhe të paligjshme, duke sjellë si pasojë infeksione, lëndime me pasoja të përjetshme dhe në disa raste edhe vdekje.

Metodat e vështira që gratë përdornin në atë kohë varionin nga mjetet tradicionale si konsumimi i rrënjëve të pemëve dhe barishteve deri te futja e mjeteve të tilla si kateterat dhe mjetet metalike, duke shkaktuar shpim të mitrës dhe lëndim të organeve. Në atë kohë, ishte normale të shihje gjysmën e pavijoneve të lindjes dhe gjinekologjisë të mbushura me gra që kishin nevojë për ndihmë të menjëhershme mjekësore për shkak të aborteve të pasigurta.

Etiopia – si në vendet e tjera në të cilat funksionon MSI Reproductive Choices si Afrika e Jugut, Kamboxhia, Meksika dhe Nepali – tregon se çfarë ndodh kur aborti i sigurt bëhet më i arritshëm. Që nga viti 2005, ligji lejon abortet në rast të përdhunimit, incestit, dëmtimit të fetusit, nëse gruaja është e mitur, ose nëse ka aftësi të kufizuara fizike ose mendore. Sot, vdekjet nga aborti i pasigurt përbëjnë vetëm 1% të të gjitha vdekjeve të grave në Etiopi.

Sigurisht, ashtu se si shembulli i Etiopisë mund të shërbejë si frymëzim për SHBA-në dhe të tjerët, ekziston mundësia që përmbysja e Roe v Wade do të inkurajojë gjithashtu lëvizje kundër lirisë së zgjedhjes përtej kufijve të Amerikës. Në vitin 2020, OpenDemocracy vlerësoi se organizatat e krishtera të krahut të djathtë në SHBA shpenzojnë afërsisht 280 milionë dollarë në vit për të sulmuar abortin dhe të drejtat e LGBTQ në nivel global. Ky financim mbështet përfaqësuesit kundër lirisë së zgjedhjes në të gjithë Afrikën dhe ofron burime dhe mbështetje për politikanët që kërkojnë të përmbysin ose kufizojnë më tej të drejtat e abortit.