Alb Eng
Për QIKA
Lajme

Edhe një i arrestuar lidhur me rastin e Donjeta Pajazitaj

QIKA 2.3.2021

Për shkak se deklaratat e tij në polici dhe prokurori për rastin e Donjeta Pajazitaj binin ndesh njëra me tjetrën, Policia e Kosovës e ka arrestuar mbrëmë njërin nga dëshmitarët e rastit.

“Është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar pasi i njëjti gjatë deklarimit të tij në gjykatë si dëshmitar lidhur me një rast vrasje ka rënë në kundërshtim me deklaratën paraprake. Me urdhër të prokurorit i dyshuari mbahet në ndalim policor”, ka njoftuar policia.

Donjeta Pajazitaj është zhdukur në nëntor të vitit 2015 ndërsa u gjet e vdekur në dhjetor të po të njëjtit vit. Sipas prokurorisë, Donjeta është vrarë në Bjeshkët e Strellcit tek “Kroi i Lajthisë” nga Naser Pajazitaj. Teksa po shkonte në punë, i akuzuari thuhet se ka ndaluar veturën dhe ka marrë Donjetën për ta dërguar më pas në bjeshkët e Strellcit ku edhe ka shtënë mbi kokën e saj dy herë. I njëjti ka provuar t`i humbas gjurmët duke e mbuluar trupin e pajetë me disa drunjë.

Pas dënimit të të dyshuarit me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Pejë, Gjykata Supreme e ka anuluar aktgjykimin për shkak të shkeljeve të dospozitave të procedurës penale. Rasti momentalisht është në rigjykim në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

QIKA

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion - QIKA është organizatë e themeluar në gusht të vitit 2020, që për qëllim ka mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.