Festivali ndërkombëtar i artistëve dhe aktivistëve feminist ka filluar edicionin e 12-të, i cili do të mbahet nga data 25 deri më 30 shtator 2024. Edicioni “MOTËRZIMI: n’Kohë Lufte dhe Paqe” fton për motërzimin dhe solidaritetin si formë e rezistencës së domosdoshme për të siguruar paqen e qëndrueshme.
FemArt shkruan se baza e feminizmit është motërzimi, dhe se motërzimi në kohë luftë na bën fitimtarë e në kohë paqeje na siguron progres. “Ajo i shpërbën kufijtë e racës, kombësisë, fesë dhe ideologjisë. Është një lidhje e krijuar në ndjeshmëri, e ushqyer nga empatia dhe e forcuar përmes veprimit kolektiv. Motërzimi na mundëson ta shohim veten të reflektuar në betejat e të tjerëve, të njohim humanizmin e tyre si tonin dhe të solidarizohemi në kërkim të drejtësisë dhe dinjitetit”, thuhet në komunikatën e festivalit.
Festivali feston lidhjen e pathyeshme të motërzimit përmes përzierjes së artit dhe aktivizmit. Përmes një programi të pasur e të larmishëm që përfshin performanca, shfaqje teatrale, koncerte, filma dokumentarë dhe të shkurtër, punëtori, ekspozita, konferencë e diskutime, edhe këtë vit FemArt sfidon normat shoqërore dhe sfidat e vajzave dhe grave. Arti e aktivizimi feminist i programit të sivjetmë do të përcillet nga më shumë se 200 pjesëmarrës nga vendi, rajoni dhe bota.
Për më shumë, vizitoni programin e FemArt.