Feministet/ët në Korenë e Jugut këtë fundjavë po planifikojnë të zhvillojnë protesta mbarëkombëtare kundër dhunës me bazë gjinore. Këto protesta vijnë si kundërpërgjigje ndaj një vale anti-feministe që ka përfshirë Korenë e Jugut, duke krijuar një luftë të tensionuar gjinore, ku diskursi rreth të drejtave të grave është tabu dhe burrat tani pretendojnë se janë viktima të diskriminimit gjinor.
Yoon u zgjodh president i vendit në fillim të këtij viti. Ai ka vazhduar të shtyjë agjendën e tij anti-feministe muajt e fundit, duke këmbëngulur se do të vazhdojë me planet e tij të fushatës për të shfuqizuar Ministrinë e Barazisë Gjinore dhe Familjes. Ministria u krijua në vitin 2001 për të siguruar burime për vajzat që vuajnë nga dhuna seksuale dhe dhuna në familje dhe për të siguruar që politikat të mos diskriminojnë në bazë të gjinisë.
Në tetor, mijëra njerëz nga i gjithë vendi u dyndën në Seul për të protestuar ndaj planeve të Presidentit Yoon Suk Yeol për të shfuqizuar Ministrinë e Barazisë Gjinore dhe Familjes. Grupet qytetare, punëtore dhe sociale, duke përfshirë Shoqatat Koreane të Grave të Bashkuara, bashkuan forcat për t’i bërë thirrje qeverisë të avancojë të drejtat e grave.
Anti-feministët kanë përdorur mediat sociale dhe komunitetet online për të përhapur besimin e tyre se feministet/ët koreanë janë radikalë që urrejnë burrat. Një kanal në YouTube me më shumë se 500,000 abonentë publikon video që etiketojnë feministet si radikale “të sëmura mendore” që promovojnë shovinizmin femëror.