Filmi artistik “Zgjoi” me regjisore dhe skenariste Blerta Basholli fitoi tre çmimet kryesore në festivalin e filmit Sundance: filmi më i mirë, regjisorja më e mirë si dhe çmimin e publikut.
Kjo arritje e jashtëzakonshme e kinematografisë kosovare shpalosi para publikut historinë tragjike të Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes për t’a siguruar mbijetesën e familjes. Ky film i bazuar në ngjarje të vërtetë përshkruan presionin social të shkaktuar pamëshirshëm mbi gratë e rrethuara nga një ambient patriarkal i cili vështirëson lirinë dhe pavarësinë e tyre.
Yllka Gashi është aktorja që bartë rolin kryesor të filmit, ndërsa në rolet tjera luajnë Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj. Yll Uka është emri i producentit të filmit “Zgjoi” ndërsa pjesa tjetër e ekipës përbëhet nga Alex Bloom drejtor fotografie, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, bashkëproducentë Valon Bajgora, Agon Uka, Britta Rindelaub, Kristijan Burovski, Tomi Salkovski, dhe Paskal Semini.
“Sundance Film Festival” është një nga festivalet më të respektuara të filmit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa filmi “Zgjoi” bëhet filmi i parë në histori të këtij festivali prestigjioz i cili fitoi që të tre çmimet kryesore.